OSBE-ODIHR nis misionin, Glover: Do të ndjekim të gjithë procesin elektoral

15/05/2015 00:00

Shefja e misionit të vëzhguesve ndërkombëtare të zgjedhjeve vendore, Audry Glover, ka mbajtur këtë të premte konferencën e parë për shtyp, ku ka njoftuar nisjen nga puna të misionit.

Në fjalën e saj, zonja Glover ka theksuar rëndësinë që periudha para dhe paszgjedhore të kalojë me maturi nga klasa politike, ndërsa ka dhënë edhe disa detaje të misionit të drejtuar prej saj.

“Ekipi vëzhgues në Tiranë do të përbëhet nga 13 persona, të cilët janë analistë dhe ekspertë. Atyre do t’u shtohen 18 të tjerë që do të shpërndahen në të gjithë vendin. Misioni ynë do të ndjekë të gjithë procesin zgjedhor, përfshirë mbulimin dhe pasqyrimin e tij në media. Gjithashtu, ekspertët tanë do të përqendrohen edhe në përfaqësimin e kandidateve femra”, ka deklaruar Glover.

Teksa ka cilësuar si shumë të rëndësishëm zbatimin e ligjit në këtë proces, shefja e misionit të OSBE-ODIHR ka nënvizuar se ky aspekt varet nga vullneti politik. “Krahas zbatimit të legjislacionit zgjedhor, misioni i OSBE-ODIHR-it do t’i kushtojë vëmendje çdo presioni të mundshëm, përfshirë blerjen e votës”, ka thënë Glover.

Vlerësimet tona, ka vijuar ajo, do të jenë tërësisht teknike dhe i takon shoqërisë shqiptare dhe politikanëve që të marrin parasysh konstatimet tona të cilat do të publikohen një ditë pas zgjedhjeve.

Glover ka shtuar më tej se 8 javë pas mbajtjes së zgjedhjeve vendore misioni do të publikojë raportin e tij përfundimtar.

Top Channel