Lavrov: Ndryshimi nga Krimea? Kosova nuk bëri referendum për pavarësi

15/05/2015 00:00

Gjatë një vizite në Beograd, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, deklaroi se qëndrimi i Rusisë për Kosovën mbetet i njëjtë dhe i pandryshueshëm. Duke folur për mediat serbe, Lavrov tha se Rusia do të japë mbështetjen e nevojshme për Serbinë lidhur me pavarësinë e Kosovës.

“Qëndrimi i Rusisë ndaj Kosovës është i qartë dhe i pandryshueshëm; rregullimi i këtij problemi është një zgjidhje ekskluzive mbi bazë të ligjeve ndërkombëtare dhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara. Sigurisht ato vendime që janë të pranueshme për Serbinë, janë të pranueshme dhe për ne. Nga ana jonë, ne jemi gati të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për partnerët tanë serbë”, tha Lavrov.

I pyetur nga media serbe për një krahasim mes rastit të Krimesë dhe Kosovës, Lavrov theksoi dhe njëherë kundërshtimin e tij për deklaratën e pavarësisë dhe tha se nuk ka ngjashmëri mes dy çështjeve.

“Ne paralajmëruam (përsa i përket Kosovës) se ndërhyrja në praktikat ndërkombëtare me modelin e deklaratës së pavarësisë për një territor të veçantë do të krijojë precedentë. Kemi tërhequr disa herë vëmendjen mbi faktin se kohët e fundit aleanca perëndimore me SHBA-në ka përdorur standarde të dyfishta, duke thyer standardet thelbësore të ligjeve ndërkombëtare, dhe direkt ndërhyn në punët e brendshme të shteteve sovrane”, tha Lavrov.

Duke vijuar me fajësimin e SHBA-së dhe BE-së, Lavrov tha se falë mbështetjes së tyre Ukraina kaloi një vit më parë në kolaps nga protestat e ultranacionalistëve. “Në krahasim me këtë, banorët e Krimesë, në përputhje të plotë me ligjet ndërkombëtare, në përputhje me parimet themelore të barazisë dhe vetëvendosjes së popujve, e cila citohet në Kapitullin e parë të Kartës së OKB… dhe disa dokumente të tjera ndërkombëtare, votoi me referendum për të deklaruar pavarësinë nga Ukraina dhe bashkimin me Rusinë”, tha Lavrov.

Top Channel