“Kumanova”, zv.ministri i Jashtëm i Kosovës takon ambasadorin maqedonas

14/05/2015 00:00

Zv.ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka pritur në një takim pune ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, me të cilin diskutuan zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe mënyrat për intensifikimin e bashkëpunimit e shkëmbimit të informatave mes dy vendeve.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, në takim u konfirmua se autoritetet kosovare dhe ato maqedonase po shkëmbejnë informata në mënyrë që sa më parë të konfirmohet identiteti i shtetasve kosovarë të arrestuar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë pas incidentit në Kumanovë, por edhe të përcaktohet nëse në mesin e viktimave ka qytetarë të Kosovës dhe të bëhet identifikimi i tyre.

“Zëvendësministri Selimi ritheksoi se autoritetet e Kosovës janë të gatshme të ofrojnë çdo asistencë për shtetasit e Kosovës në kuadër të ligjit dhe konventave ndërkombëtare. Selimi shtoi se është e rëndësishme që të dy vendet të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin si dy shtete fqinje dhe rikujtoi se janë mbi 10 marrëveshje bilaterale që janë afër finalizimit dhe nënshkrimit nga autoritetet në Prishtinë dhe Shkup”, thuhet në njoftim.

Top Channel