“Kumanova”, bashkëshortja e Genc Sefës i shkruan një letër Jahjagës

14/05/2015 00:00

Dashurie Uksmajli, bashkëshortja e Genc Sefës, një prej të arrestuarve në Kumanovë nën dyshimin për përfshirje në shkëmbimin e zjarrit me policinë, i ka dërguar një letër Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në letër, e cila është publikuar nga mediat kosovare, vlerësohet si i vonuar reagimi i kryetares së shtetit.

“Nuk more mundimin të kërkoje asgjë, të mësoje rreth trajtimit dhe gjendjes shëndetësore të tyre, ose të paktën të bëje apel që të mos shkelen të drejtat e të burgosurve të luftës, të cilat i përcakton konventa ndërkombëtare! A mund ta marrësh me mend që pas 40 orë luftimesh ata të gjithë kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore? Dhe sot u konfirmua që ka edhe të plagosur në gjendje të rëndë pa ushqim, që janë marrë në pyetje e janë keqtrajtuar për 24 orë! Këta zemërluanë kanë shkuar atje me një mision shumë më madhor dhe fisnik se sa per të bërë gjenocid apo masakra, siç bënë forcat maqedonase!”, thuhet në letrën e Dashurie Uksmajlit.

Bashkëshortja e Sefës pretendon se shqiptarët u tradhtuan dhe nuk patën rrugë tjetër, veçse të merrnin armët e të luftonin me një ushtri të pajisur me artiljeri të rëndë ushtarake.

“Atyre besoj se nuk u mbeti rrugëzgjidhje tjetër! Në bazë të asaj që po shohim e dëgjojmë, ata u tradhtuan edhe kur pranuan të dorëzoheheshin në duart e OSBE-së, sipas premtimit të Ali Ahmetit, por jashtë u përballën vetëm me policinë dhe xhandarmërinë”, vijon në letrën e saj bashkëshortja e Sefës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA