Kosovë, Kuvendi refuzon debatin për Kumanovën

14/05/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës nuk e çoi përpara propozimin e opozitës për të diskutuar për situatën në Kumanovë me arsyetimin se mungojnë informacionet e mjaftueshme. Kërkesa e lëvizjes Vetëvendosje, që kjo çështje të hyjë në rendin e ditës, u përmbys nga gjithsej 50 vota të deputetëve të partive në pushtet.

Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, tha: “Ne vlerësojmë se ende është herët që ne të hyjmë në këtë çështje sepse kemi nevojë për informacione shtesë, qeveria dhe institucionet, Presidenca dhe Kryeministria janë duke punuar, ne duhet të kërkojmë informata shtesë, të kemi një materie se çfarë ka ndodhur në Maqedoni”.

Ndërkohë, Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, theksoi: “Edhe ne konsiderojmë që duhet të debatohet atëherë kur kemi informacion të bollshëm. Përpos viktimave dhe vrasjeve, ne nuk kemi informata”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se pikërisht sot është momenti për të diskutuar, në mënyrë që Kuvendi të hartojë rekomandime për të kërkuar llogari nga qeveria.

“Unë nuk e di edhe çfarë tjetër duhet të bëjë Gruevski, edhe sa lagje shqiptare t’i djegë që ne të vetëdijësohemi se kjo është çështje urgjente, e cila duhet të trajtohet në Kuvendin e Kosovës. E dyta, kemi zyrtarë të qeverisë që kanë thënë se ne i kemi të gjitha informacionet, kjo është në kundërshtim me atë se informacionet duhet t’i kompletojmë, nëse qeveria i ka informacionet, atëherë nuk shoh mënyrë më të mirë sesa një debat i organizuar për këtë punë dhe qeveria do t’i shprehte qëndrimet e veta”, tha Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar i VV-së. 

Donika Kadaj Bujupi, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së, deklaroi: “Mendoj se që të thuhet se sot nuk është momenti sepse nuk kemi informata të diskutojmë për këtë temë, është edhe e padrejtë, edhe e pasaktë sepse bëhet fjalë për shqiptarë, 40 mijë banorë të Kumanovës, të cilët janë sulmuar në mes të natës”.

Institucionet e Kosovës kanë dënuar situatën në Maqedoni dhe kanë kërkuar që Shkupi zyrtar të sqarojë situatën, veçanërisht pjesëmarrjen e shtetasve të Kosovës në incidentin e armatosur në Kumanovë.

Top Channel