Haradinaj, kundër varrosjes së Boletinit në Vlorë: Të prehet tek kulla e tij

14/05/2015 00:00

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është kundër rivarrosjes së eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë. Me një status në Facebook, ai shprehet se kulla e Isa Boletinit në Boletin të Mitrovicës u ka rezistuar të gjitha stuhive të vështira nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë.

“Ajo nuk është vetëm kullë. Kulla e Boletinit është simbol i luftës kundër tkurrjes së trojeve tona. Eshtrat e Isa Boletinit janë pjesë e rëndësishme e testamentit që ruan kjo kullë ndër breza dhe aty duhet të rivarrosen. Është gabim, nëse rivarrosen kudo tjetër, përveçse në Boletin”, thotë në statusin e tij Haradinaj.

Më herët kanë reaguar edhe kryetari i Qendrës Rajonale të KLMDNj-së në Mitrovicë, Halit Barani, sipas të cilit, ky vendim është një dorëzim para presioneve të strukturave paralele serbe. Për këtë arsye, sot është mbeldhur në një seancë të jashtëzakonshme dhe Kuvendi i Komunës së Mitrovicës.

Edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, po përmes një statusi në rrjetin social, ka shprehur qëndrimin e tij në lidhje me rivarrosjen e eshtrave të Isa Boletinit. Sipas tij, Isa Boletini duhet të varroset në vendin ku ai ka luftuar armikun dhe zgjidhjet e tjera janë të papranueshme.

“Aty ku ai ka pritur topat kundër mbretërisë serbo-kroato-sllovene, aty e kanë vendin të pushojnë eshtrat e kolosit të kombit, Isa Boletini. Zgjidhjet e tjera janë të papranueshme. Kaq!”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Top Channel