Përmes “komisariatit dixhital”, qytetarët mund të denoncojnë pranë policisë

13/05/2015 00:00

Përmes një aplikacioni në telefonin celular, qytetarët mund të denoncojnë online çdo shkelje, kundërvajtje apo ankesë pranë Policisë së Shtetit, në atë që quhet “Komisariati dixhital”.

Aplikacioni shkarkohet lehtësisht në çdo telefon inteligjent dhe ruan anonimatin e denoncuesit. Gjatë prezantimit të tij, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se aplikacioni i jep një shtysë marrëdhënieve mes policisë dhe komunitetit.

“Ne menduam të krijojmë një instrument të vogël në dukje, por një instrument të fuqishëm, të pakufizuar në kohë, në mundësi apo territor, një instrument të fuqishëm që nëpërmjet një klikimi dhe shpejtësisë së këtij të fundit të mund të ndash një informacion me policinë, mund të bësh një denoncim, dhe të presësh që me po të njëjtën shpejtësi, policia të gjendet në vendin nga ku ti po denoncon”, tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Tahiri demostroi përdorimin e aplikacionit, duke shpjeguar se nuk ka asnjë mundësi, që denoncimi të neglizhohet nga policia.

“Më frekuentet janë parkimi i gabuar apo aksidentet në rrugë”, deklaroi gjatë shpjegimit Tahiri.

Gjatë prezantimit të këtij aplikacioni ishte i pranishëm kryeministri Rama, si dhe drejtues kryesorë të trupës së Policise së Shtetit. Aplikacioni gjendet lehtësisht në “Play Store” për telefonat “Android”, dhe shumë shpejt do të jetë edhe për iPhone. Përdorimi i tij është në gjuhën shqipe.

Top Channel