PD: Veliaj përpiqet të mashtrojë sërish qytetarët

12/05/2015 00:00

PD ka përsëritur këtë të martë akuzat ndaj kandidatit të majtë për Tiranën, Erion Veliaj, i cili sipas opozitës premton ndihmë ekonomike për banorët e kryeqytetit dhe synon t’i mashtrojë ata përsëri.

“Në vitin 2013, Erioni premtoi: ‘Do të hartojmë paketën rregullatore për transformimin e programit të ndihmës ekonomike në një program për riintegrimin social’. Por një vit më pas, Erioni mashtroi 20 mijë familje që u përjashtuan nga skema me një urdhër ;prej tij, vetëm pse iu gjet një tavolinë me 3 karrike apo një televizor në shtëpi. Sot, ndihmën ekonomike e marrin vetëm militantët e partisë dhe jo nevojtarët”, ka deklaruar këtë të martë Fabian Topollaj, përfaqësues i PD-së.

PD pretendon se ndihma ekonomike është shpërndarë më pak se sa vitet e tjera dhe kjo, sipas saj, vërtetohet lehtësisht nga buxheti i shtetit.

“Erioni premton veç për të marrë pushtet dhe nuk e ka problem t’i mashtrojë sërish qytetarët sapo ta ketë pushtetin. Çdo ditë, ne do t’i kujtojmë Erionit nga një tjetër premtim të thyer dhe nga një tjetër mashtrim, sepse votuesit nuk do të mashtrohen përsëri”, ka thënë Topollaj.

 

Top Channel