Bruksel, mbahet takimi i radhës Kosovë-Serbi për energjinë

12/05/2015 00:00

Të hënën në Bruksel është mbajtur takimi i radhës për energjinë, ku janë diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes dhe planit për veprim për energjinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, pas këtij takimi ka deklaruar se bisedimet kanë qenë të gjata dhe të vështira dhe se, ky takim kishte për qëllim tejkalimin e disa pengesave në drejtim të zbatimit të marrëveshjes për energjinë.

Takimi ka përfunduar pa rezultate, për shkak se Serbia është angazhuar tërë kohën të paraqesë kërkesa të reja, që bien ndesh me marrëveshjen e Brukselit për energjinë, njofton qeveria e Kosovës në një komunikatë për shtyp.

Sipas kësaj komunikate, pala serbe ka pasur tendenca, që të bisedohet për shpërndarjen e energjisë, gjë që nuk është pranuar nga pala kosovare, pasi në Kosovë vepron një kompani publike për këtë çështje, që është KEDS-i.

Në këtë kontekst, ministrja Tahiri ka shtuar se pala serbe ka tentuar vazhdimisht të nxisë diskutime edhe për legalizimin e operatorëve ilegalë serbë të energjisë, që veprojnë në veri të vendit, e ndër të tjerash ka pasur kërkesa për të licencuar kompaninë ilegale “Elektrokosmet”, për ofrim të shërbimeve komerciale, gjë që pala kosovare nuk e ka pranuar, duke kërkuar që Serbia të heqë të gjithë operatorët e saj ilegalë në Kosovë dhe të mos e shkelë marrëveshjen e Brukselit.

Ministrja Tahiri ka parashikuar se, pala serbe po e vonon qëllimisht dorëzimin e kontrollit të nënstacionit të Vallaçit tek autoritetet e Kosovës, duke shkelur marrëveshjen për energjinë.

Top Channel