Shefi i shërbimeve sekrete ushtarake të Serbisë, Petar Çvetkoviç ka deklaruar se agjencitë serbe të inteligjencës i kishin informuar që në prill kolegët maqedonas për rrezikun që sipas saj vinte nga Kumanova.
Por, ka deklaruar Çvetkoviç, autoritetet maqedonase të sigurisë nuk i morën në konsideratë këto informata duke i cilësuar si “të tepruara”.
I cituar nga mediat “TV Pink” dhe “B92”, zyrtari i lartë serb ka shtuar se, agresorët, të cilët i ka quajtur “terroristë”, kanë qëndruar për një kohë të gjatë në Maqedoni.
Sipas tij, një pjesë e tyre ishin kosovarë, disa maqedonas dhe një tjetër me shtetësi shqiptare dhe të gjithë së bashku kishin si detyrë destabilizimin e Maqedonisë me qëllim krijimin e Shqipërisë së Madhe.
“Ideja për krijimin e Shqipërisë së Madhe gëzon mbështetje nga fraksione të caktuara në Perëndim. Kjo është e dukshme nga fakti që deklaratat e disa politikanëve për këtë çështje nuk janë dënuar”, citohet të ketë thënë Çvetkoviç.
Top Channel