Kosova, forca shtesë në kufi me Maqedoninë. Jahjaga e Mustafa i kërkojnë Shkupit informacione

11/05/2015 00:00

Prishtina zyrtare dënon edhe zyrtarisht përfshirjen e shtetasve të Kosovës në incidentet e armatosura në Maqedoni, duke konfirmuar kështu deklaratat e palës maqedonase.

Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, përmes një komunikate njoftuan se mekanizmat përkatës kanë kërkuar nga pala maqedonase detaje lidhur me incidentet e fundjavës dhe, siç thonë, janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga ta.

Në të njëjtën kohë, forca shtesë të Policisë janë dërguar në zonat përgjatë vijës së gjelbërt kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë. Bëhet fjalë për dhjetëra pjesëtarë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, të cilët të armatosur rëndë tashmë kanë zënë pozicionet e tyre në fshatin Dremjan.

“Policia e Kosovës ka zgjedhur këtë zonë për të patrulluar, pas qëndrimit të Shkupit zyrtar se grupe të armatosura kanë shkuar nga Kosova në Maqedoni për të luftuar, por edhe për faktin se fshati Dremjan njihet për kontrabandimin e mallrave”, raporton gazetarja e Top Channel, Arta Berisha, nga fshati kufitar Dremjan, midis Kosovës dhe Maqedonisë.

Asnjëri nga këta policë nuk flet për situatën, ndërsa zyrtarisht thuhet se angazhimi i forcave shtesë është bërë me qëllim parandalimin e çfarëdo lloj krimi, duke përfshirë edhe atë ndërkufitar.

Pak kilometra më tutje, aty ku ndodhet pika kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë shihen radhë të gjata të automjeteve me targa të Kumanovës, që po ktheheshin në shtëpitë e tyre, të braktisura ditë më parë. Familje të tëra, me fëmijë të vegjël, që u strehuan për dy ditë në Kosovë, sot thonë se po kthehen pas informatave për një situatë më të qetë.

“Ishim te miqtë në Kosovë. Na thanë se situata është qetësuar dhe po kthehemi. Ne jetojmë në një lagje tjetër, por kemi dëgjuar krisma dhe jemi larguar, që mos vinte puna deri te më e keqja”, thotë Nexhmedin Ramadani, qytetar nga Kumanova.

Banorët e tjerë nuk pranojnë të flasin para kameras. Disa thonë se kanë qenë thjesht për vizitë te familjarët, e disa të tjerë, ndonëse jo publikisht, nuk ngurrojnë ta shprehin mllëfin me qeverinë e tyre.

Për shkak të zisë kombëtare, pala maqedonase në pikën e saj kufitare ka ulur në gjysmështizë flamurin shtetëror, ndërkohë që bie në sy mungesa e flamurit të shtetit të Kosovës, i cili prej kohësh është zëvendësuar me flamurin kombëtar nga komuna e Hanit të Elezit.

Top Channel