Takim i përbashkët i Odave Ekonomike të Kosovës e Serbisë

10/05/2015 00:00

Përfaqësues të bizneseve të Kosovës dhe Serbisë kërkojnë heqjen e barrierave politike, në mënyrë të biznesi rajonal të bëhet faktor i rëndësishëm në tregun botëror. Shumë biznesmenë shqiptarë dhe serbë u bënë bashkë në Prishtinë, në një organizim të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë.

“Këtë që po bëjmë ne sot, nuk e kemi shpikur ne. E ka bërë Evropa më herët. Vetëm bashkëpunimi ekonomik mund të eliminojë barrierat dhe mund t’i rrënojë muret ndarëse”, tha Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Në këtë takim ishte i pranishëm ministri i Ekonomisë i Serbisë, por jo ai i Kosovës. Ekzekutivi kosovar u përfaqësua nga zëvendëskryeministri i komunitetit serb, Branimir Stojanoviç. Duke folur për Top Channel, ai tha se pavarësisht problemeve politike është e rëndësishme, që biznesi në të dyja vendet të ketë sukses, më qëllim që të përmirësohet mirëqenia e qytetarëve. Stojanoviç vlerëson se ky takim është rezultat i dialogut dypalësh.

“Mendoj se dialogu ka hapur disa dyer. Tani i takon biznesit t’i gjejë mundësitë e veta, që të ndryshojë situatën në të mirë të qytetarëve. Dialogu do të vazhdojë, sepse janë shumë çështje, të cilat ende nuk janë zgjidhur. Politika ka ende shumë gjëra për të zgjidhur, por nga ana tjetër ne duhet të kuptojmë sesa e rëndësishme është ekonomia. Është e domosdoshme të krijojmë hapësirën e nevojshme, që ekonomia të funksionojë normalisht, pavarësisht çështjeve të hapura. Kjo e sotmja ishte diçka shumë e bukur dhe jam shumë i lumtur, që secili e ka kuptuar dhe e ka mbështetur”, tha Branimir Stojanoviç, zëvendëskryeministër i Kosovës.

“Kemi nevojë për një klimë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ne dhe ju mund të rindërtojmë më shpejt atë, që politika e shkatërroi për dekada me radhë dhe që po e normalizon shumë me vështirësi procesi i dialogut”, tha Gazmend Abrashi, përfaqësues biznesi, Kosovë.

“Pa një grumbullim forcash, jam i sigurt se lojtarë të tjerë mund të na shkelin. Përveç kësaj, bashkëpunimi në këtë rajon do të na sjellë një qarkullim më të lehtë të njerëzve, ideve, kapitalit e që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës. Ky takim i sotëm është një tregues se, dëshira për bashkëpunim mes bizneseve ekziston, prandaj jam i lumtur që sot jam këtu, që të përfaqësoj kompaninë”, tha Miograd Kostiç, përfaqësues biznesi, Serbi.

Bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë ekziston, por në favor të Serbisë, si importuesi më i madh i mallrave. Megjithatë, pikërisht importuesit më të mëdhenj kosovarë nga Serbia nuk ishin pjesë e këtij takimi, nga i cili doli edhe një marrëveshje për hapjen e zyrave të të dyja Odave, në vendet respektive.

Top Channel