Ndalesa e radhës e “Korpusit të Vullnetarëve” në fushatën ndërgjegjësuese për pastrimin e plazheve në fillim të sezonit turistik, ishte plazhi i Zvërnecit.

Për pastrimin e këtij plazhi janë aktivizuar 150 vullnetarë nga Tirana dhe Vlora, që morën pjesë në aksion.

Këtë herë pjesë e fushatës u bënë edhe një grup të dënuarish nga burgu i Rrogozhinës, të cilët dhanë kontributin e tyre komunitar për pastrimin e plazheve.

Mes “Korpusit të Vullnetarëve” dhe Drejtorisë së Burgjeve është arritur një marrëveshje dhe të burgosurit do jenë edhe në aksionet e tjera të pastrimit të plazheve.

Ky bashkëpunim, sipas drejtuesve të burgjeve, i shërben edhe integrimit të të dënuarve me anë të punës komunitare dhe edukimit të tyre.

Edhe në prag të çeljes së sezonit turistik, zonat turistike janë të papastruara. Kjo për shkak të paaftësisë së pushtetit vendor dhe në prag të zgjedhjeve dhe shkrirjes së tyre brenda njësive më të mëdha administrative.

Top Channel