Kosovë, Kuvendi e Qeveria apelojnë për qetësi, VV fajëson Gruevskin

09/05/2015 00:00

Situata në Maqedoni ka nxitur reagimin e autoriteteve kosovare. Në reagime të veçanta kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Minsitria e Punëve të Jashtme dënuan ashpër incidentet në Maqedoni.

Kryeparlamentari kosovar kërkoi nga faktori politik shqiptar që të gjejë rrugët për tejkalimin e situatës me racionalitet e pjekuri politike, dhe ka shprehur pikëllimin për humbjen e jetëve njerëzore në këtë ngjarje.

Në komunikatën për incidentin në Kumanovë, Kadri Veseli shfaq besimin se institucionet Maqedonisë e kanë gjithë vullnetin dhe kapacitetet që problemet politike dhe tensionet eventuale etnike, t’i trajtojnë  me maturi dhe mjete demokratike.

Në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, thuhet se Kosova dënon ashpër cënimin e rendit dhe sigurisë nga çfarëdo individi apo grupi me qëllime destabilizuese në Maqedoni. MPJ apelon tek të gjitha palët që të përmbahen nga dhuna dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut politik, në kuadër të institucioneve të vendit dhe Marrëveshjes së Ohrit, që garanton integritetin e Maqedonisë dhe përmbushjen e të drejtave të komuniteteve.

I menjëhershem ka qenë edhe reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, në një konferencë për media fajësoi drejtpërsëdrejti qeverinë maqedonase për sulm kundër shqiptarëve.

“Qeveria e Gruevskit ka mobilizuar artilerinë më të rëndë ushtarake për ta sulmuar Kumanovën. Janë sulmuar vetëm lagjet e shqiptarëve me autoblinda e helikopterë, tamam siç sulmohej Kosova nga Milosheviçi gjatë luftës së fundit. Arsyetimi i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë për këtë sulm është supozimi se po ndjekin grupet e armatosura në Kumanovë. Kjo është një alibi e papranueshme për të maskuar një fushatë të armatosur për terrorizimin e shqiptarëve atje. Gruevski e ka shndërruar Maqedoninë në një shtet shtypës, i cili shqiptarëve iu qaset vetëm përmes dhunës policore dhe represionit ushtarak”- tha Konjufca.

Konjufca kritikoi edhe ministrinë e punëve të jashtme për mënyrën e reagimit ndaj kësaj ngjarje edhe për faktin se nuk është dënuar sulmi ndaj popullatë shqiptare.   Ai tha se reagimi i mpj-së kosovare i shkon përshtati kryeministrit maqedonas nikola gruevski i cili po e jusitikifikon sulmin ndaj shqiptarëve me gjoja luftimin e grupeve të armatosura.

Për ngjarjen në Kumanovë kanë reaguar edhe subjektet e tjera politike.

Top Channel