Kompensimi i dëmeve, “Bankers” tregon shifrat

08/05/2015 00:00

Kompania “Bankers Petroleum” ka bërë të ditur se do të kompensojë plotësisht 44 banesa të dëmtuara nga shpërthimet e gazit më 1 prill, pas operacioneve të kompanisë në fshatin Marinzë.

Të dhënat për kompensimet janë bërë të ditura nga vetë përfaqësuesit e kompanisë në Fier.

“Sipas studimit gjeologjik, janë 44 shtëpi me dëmtime të përhershme, që duhen dëmshpërblyer 100 për qind, si dhe 66 shtëpi që kanë dëme të riparueshme. Që “Bankers” të japë dëmshpërblimin financiar kërkohet leja nga Këshilli i Komunës, që kërkon të konsultohet me banorët para se të marrë një vendim. Fatkeqësisht jemi pak keq me kohën, pasi vendimin Këshilli duhet ta marrë para datës 21, ndryshe merret pas zgjedhjeve”, ka deklaruar Adriatik Golemi, përfaqësues i “Bankers”.

Ndërkohë, kompania vazhdon me pagesat për banorët e evakuuar dhe furnizimin me ujë të popullsisë dhe kafshëve mbi bazën e një grafiku ditor.

Stafi i saj deklaron se, “do të zgjidhë dhe rekuperojë të gjitha problemet e shkaktuara, në mënyrë sa më të ndershme dhe të shpejtë për të gjithë banorët e prekur nga incidenti”.

Top Channel