Kosovë, Pallati i Rinisë në prag falimenti. Ekzekutohet vendimi gjyqësor

07/05/2015 00:00

Pallati i Rinisë në Prishtinë, që shërben si qendër kulturore, arsimore e sportive, tashmë ndodhet në kolaps financiar. Kjo, për shkak se është ekzekutuar vendimi i gjykatës, që paratë e pallatit t’u kalojnë bizneseve, që u dëmtuan nga djegia e depove të mallit në Shkurt të vitit 2000.

Në bazë të vendimit janë bllokuar llogaritë bankare të pallatit, ndërsa janë marrë prej tyre 800 mijë euro si dëmshpërblim për këto biznese.

Drejtuesit e pallatit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë, në të kundërt, qendra mund të ndalojë së funksionuari si qendër argëtuese-sportive muajin e ardhshëm. Për këtë, sipas një letre që e ka siguruar Top Channel, janë informuar edhe autoritetet më të larta shtetërore.

“Në Pallatin e Rinisë jemi në rrezik të madh, sepse na janë bllokuar të gjitha llogaritë financiare. Kemi vështirësi ta mirëmbajmë, sepse vjen një moment dhe duhet të paguajmë energjinë elektrike, që është e një kostoje shumë të lartë, por edhe ujin. Këtu janë shumë faktorë që ndikojnë, të ndërpritet ndoshta edhe krejt aktiviteti”, tha Qaush Berisha, drejtor i Pallatit të Rinisë.

Bëhet fjalë për një ngjarje, që ka ndodhur para 16 vitesh, por për të cilën as sot, kur ka një vendim të prerë të gjykatës nuk dihet shkaktari i vënies së zjarrit. Mirëpo vendimet e gjykatave të Kosovës kanë fajësuar pallatin, duke i lënë një detyrim financiar prej 3 milionë e gjysmë eurosh ndaj bizneseve.

Drejtori i pallatit e vlerëson si të padrejtë vendimin e gjykatës, pa hezituar këtu ta cilësojë Gjyqësorin si të korruptuar dhe të ndikuar nga grupet e interesit.

“Mjerisht po shikohet sesi është situata këtu te ne. Çdo ditë shkruhet për korruptimin e gjykatësve; avokatët, mund të them të paskrupuj, që s’kërkojnë drejtësi, por lekë. Ne nuk kemi pasur të drejtë t’u japim avokatëve parà sa kërkojnë, kurse ata e kanë pasur këtë të drejtë. Për gjyqtarët mund të them se, përderisa nuk i kanë marrë argumentet tona për bazë, atëherë dyshimi është i saktë”, tha më tej Qaush Berisha, drejtor i Pallatit të Rinisë.

Bizneset pretendojnë se u janë bërë dëme të mëdha financiare, në shuma që arrijnë vlerën deri në 1 milion euro për një biznes. Top Channel ka kontaktuar zyrtarët e pushtetit qendror dhe ata lokalë, por asnjë palë nuk ka qenë e gatshme të flasë rreth këtij problemi.

Pallati i Rinisë është ndërmarrje shoqërore nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Zgjidhja e statusit pronësor ka ngecur, për shkak të projektligjit për Prishtinën, i cili prej vitesh ndodhet nëpër sirtarë institucionesh.

Top Channel