Bizneset kosovare nuk i kthejnë monedhat e vogla për kusur

07/05/2015 00:00

Konsumatorët kosovarë çdo ditë përballen me biznese që gjatë pagesës në kasa, nuk u kthejnë monedhat e vogla, prej 1 deri në 4 cent si kusur. Shumë njerëz po ankohen, ndërsa bizneset janë ata që përfitojnë shuma të mëdha.

“Për qytetarin e shtresës sociale, 1 cent do të thotë shumë, prandaj mendoj se dëmtohen”, është shprehur Ibrahim Abazi, një qytetar në Prishtinë.

Edhe Bekim Shala mendon njësoj, ndonëse shprehet se disa biznese japin një produkt si shkëmbim për kusurin. “Kur kemi blerë, kur erdhi puna të më kthehen 1 cent, ka ndodhur që nuk kanë pasur, por në atë moment më kanë dhënë ose një çokollatë të vogël, ose ndonjëherë ua fal”, ka thënë ai.

Luljeta Gashi është një tjetër qytetare që mendon se bizneset arkëtojnë fitime të mëdha nga moskthimi i kusurit. “Jo vetëm nga 1 cent, por edhe deri në 5 cent ndodh shumë shpesh të mos kthehen. Për mua nuk është ndonjë problem, por kur e mendon është një fitim i madh për ata që e mbajnë”, tha ajo.

Gjatë një vëzhgimi të shkurtër të Top Channel në disa prej dyqaneve në Prishtinë, ka ndodhur një fenomen i tillë. Për pagesat e kryera, asnjë nga arkëtaret nuk i ka kthyer centët pa iu kërkuar një gjë e tillë, e madje kur është kërkuar kusuri prej një cent, punonjësit kanë reaguar ashpër dhe me një sjellë jo korrekte.

Për të luftuar dhe ngritur zërin kundër kësaj dukurie është krijuar në Kosovë nisma “Kthema 1 Cent”. “Rreth gjendjes së krijuar ne u bëjmë thirrje organeve përgjegjëse për veprime konkrete, duke filluar edhe me dënime dhe ndjekje penale për bizneset, që e ndalin paranë e qytetarit në këtë mënyrë dhe duke shtuar kapacitetet për t’iu përgjigjur ankesave të qytetarëve në rast të vazhdimit të paraqitjes së mëtejshme të kësaj dukurie”, thuhet në një komunikatë për media të kësaj nisme.

Kjo nismë vijon fushatën me qëllim të rritjes së vetëdijësimit të qytetarëve për të kërkuar paratë që qendrat tregtare nuk u kthejnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA