Rezultatet e analizave të qumështit të Marinzës, brenda 3-5 ditësh

05/05/2015 00:00

Qumështi dhe nënproduktet e tij, mishi, si dhe produktet bujqësore që prodhohen në zonën e Patos-Marinzës janë duke u analizuar në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare në Tiranë.

Kanë mbërritur të martën 4 mostrat e qumështit pranë laboratorit të certifikuar të ISUV, mostra të cilat janë marrë sipas parametrave dhe standardeve të këkuara nga AKU në Fier. Qumështi do të analizohet si fillim për sasinë e plumbit, kobaltit dhe metaleve të tjera të rënda, me të cilat mund të jenë kontaminuar bagëtitë, si pasojë e të ushqyerit me bimë të tokës së kontaminuar.

“Janë duke ardhur mostrat nga Fieri. Do të analizohet qumështi në dy drejtime, kryesisht për metalet e rënda, dhe ne pastaj do të plotësojmë analizën për fenolet, sepse edhe këto duhet të jenë pjesë e analizave. I ndjek shëndetësia për pjesën që ka të bëjë me njerëzit, ndërsa ne do t’i ndjekim edhe për bimët. Fenolet në këtë rast janë një element emergjent. Ne normalisht analizojmë mbështetur në planifikime, e më pas sigurojmë tërë gamën analitike, përfshirë këtu reagentet e kitet standarde, ndërsa për situata emergjente edhe zgjidhja është emergjente”, tha Dr. Ardian Xinxo, drejtor i ISUV.

Për herë të parë, pranë ISUV do të kryhen analizat e fenolit në qumësht dhe në nëproduktet e tij, analizë e cila nuk është kryer më parë. Sipas zotit Xinxo, Ministria e Bujqësisë është duke kryer të gjitha procedurat për të furnizuar me kite dhe reagente për këtë analizë, e cila nuk është kryer më parë në këtë institut.

Përgjigjet e analizave të mostrave të qumështit të mbërritura të martën, do të jenë gati brenda 3 deri në ditë. Ndërkohë në fokus të ISUV do të jetë edhe analizimi i bimëve dhe perimeve, që prodhohen në zonën e Patos-Marinzës.

Top Channel