Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, Rama: Shqipëria, në drejtimin e duhur të historisë

05/05/2015 00:00

Si më çdo 5 Maj, drejtuesit e mazhorancës bënë homazhe në nderim të sakrificës dhe jetës së dhënë për liri të dëshmorëve. Por, në ndryshim nga një vit më parë, për të evituar mesa duket sulmet e kundërshtarëve politikë, nostalgjikët e sistemit komunist me foto të diktatorit bënë homazhe pas ceremonisë së mazhorancës.

Mesazhit të kryeminstrit Edi Rama dhe atij të kryetarit të Kuvendit, Meta, i parapriu kandidati i së majtës për Tiranën, Erion Veliaj, në këtë 5 Maj të këtij viti zgjedhjesh vendore.

“Në të gjithë dilemat që kemi, nëse duam të shkojmë në drejtimin e gabuar apo atë të duhur, është momenti që të kujtojmë të gjithë ata 20-vjeçarë të 70 viteve më parë, që e çuan këtë vend në drejtimin e duhur, atë të Europës dhe idealistëve që janë ende gjallë, të cilët luftojnë sot për një Shqipëri në drejtimin e duhur”, u shpreh Erion Veliaj.

“Në themelet e kësaj Shqipërie euroatlantike dhe europiane është pikërisht ëndrra dhe sakrifica sublime e Qemal Stafës dhe mijëra vajza e djemve të Shqipërisë, që dhanë jetën e tyre”, deklaroi kryeparlamentari Ilir Meta.

“Ne vijmë sot këtu, me krenarinë e të qenit pjesë e një përpjekjeje politike e shoqërore, për ta bërë atdheun e Qemal Stafës dhe dëshmorëve tanë një vend të denjë për sakrificën e tyre sublime”, tha kryeministri Edi Rama.

Rama, që kur ishte kryetar i opozites ndante bindjen çdo 5 Maj, se idealet e Dëshmorëve të Atdheut u tradhëtuan, jo vetëm nga ata që instaluan regjimin më të egër diktatorial në vend, por edhe në kohën e tranzicionit që e pasoi; sot si kryeministër beson se Shqipëria është në rrugën e duhur.

Këtë e argumenton me faktin se masat e marra nga kjo qeveri ndryshojnë nga paraardhëset, se nuk bëhen për t’i shtuar asaj jetën në pushtet, por për të garantuar sipas tij se po ndërtohet shtet.

“Ne jemi të gatshëm të japim mishin dhe shpirtin në këtë përpjekje, që askush përpara nesh nuk tentoi ta bënte me gjithë fuqinë e dashurisë prind, i cili nuk e fut fëmijën në një operacion për jetë a vdekje sepse do ta torturojë, por sepse kërkon ta shpëtojë. Ky është drejtimi i duhur që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja, për ata që sot janë më keq sesa dje. Ky është drejtimi i duhur për të bërë realitet ëndrrën e shtetit europian të shqiptarëve, për të cilën dhanë jetën dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ata, të cilët janë këtu dhe do të jenë këtu edhe kur ne të mos jemi këtu, për të na kujtuar neve dhe të gjithë gjeneratave që vijnë mesazhin e thjeshtë se asgjë nuk është e pamundur, kur të gjithë jemi bashkë. Lavdi të përjetshme dëshmorëve të atdheut”, theksoi kryeministri i vendit, Edi Rama.

Top Channel