Dosja “Frroku”, Llalla në Bruksel. Didi merret në pyetje mbi kërkesën e autoriteteve belge

05/05/2015 00:00

Kryeprokurori Adriatik Llalla, i shoqëruar nga prokurorët Madrid Kullolli dhe Rovena Gashi, kanë udhëtuar të martën në drejtim të Belgjikës për “çështjen Frroku”.

Mësohet se qëllimi i vetëm i kësaj vizite ka qenë rakordimi i hetimeve me prokurorët belgë, lidhur me dosjen në ngarkim të deputetit Mark Frroku, i akuzuar në Belgjikë për vrasje.

Po ashtu, bëhet e ditur se autoritetet belge, pas atyre shqiptare, kanë nisur dhe një verifikim lidhur me pasuritë e Mark Frrokut gjatë kohës që ai ka qenë në Belgjikë. Kryeprokurori Llalla i ka bërë të ditur homologëve belgë etapat e hetimit në Shqipëri dhe faktet e reja të dala në dritë lidhur me kallëzimet e bëra nga ILDKP-ja ndaj Frrokut për fshehje të pasurisë.

Ndërkaq, pritet që dosja e mbërritur rreth 2 javë më parë në Prokurorinë e Përgjithshme nga drejtësia belge, të përkthehet e më pas të nisë gjykimi edhe në Shqipëri në ngarkim të deputetit Frroku për akuzën e vrasjes.

Po për çështjen Frroku, mesditën e së martës është paraqitur në Prokurori ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, i cili është marrë në pyetje lidhur me ekzekutimin e urdhër-arrestit ndërkombëtar në ngarkim të Frrokut, çështje për të cilën janë në hetim ish-drejtori i INTERPOL Tirana dhe një specialiste e këtij sektori.

Mësohet se gjatë marrjes në pyetje, Didi ka mbajtur qëndrim mohues, ku ka deklaruar se ai për herë të parë me këtë kërkesë është njohur më 27 mars, pasi ja ka përcjellë zyra e INTERPOL Tiranës dhe më pas ja ka adresuar Prokurorisë së Përgjithshme.

Top Channel