Në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit janë përkujtuar këtë të martë punonjësit e uniformave blu të rënë në krye të detyrës ndër vite. Familjarë dhe pushtetarë vendorë u pritën nga drejtuesit e Policisë.
Më pas u zhvillua ceremonia tradicionale në Varrezat e Dëshmorëve, ku familjarë, Prefekti dhe Kryetari i Bashkisë, të shoqëruar nga deputetë të PS-së dhe LSI-së vendosën kurora me lule.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, në nderimet e tij kujtoi edhe familjarët e tij të rënë dëshmorë.
Më pas, ceremonia u zhvendos tek Dëshmorët e së Tashmes, ku punonjës të policisë nderuan kolegët e tyre të rënë në detyrë.
Ndërsa në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Lushnjës, krahas krerëve të pushtetit vendor në homazhe morën pjesë edhe deputetët Erjon Braçe dhe Arben Çuko, si dhe ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.
Ata vendosën kurora me lule dhe mbajtën heshtje përpara monumetit të partizanes. Deputeti Braçe u shpreh se, sot duhej të ishte edhe opozita për të nderuar dëshmorët.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i nderojnë ata dhe të përçmojnë të keqen, “sepse fashizmi lindi nga rrugaçëria e dhunshme dhe këtë përvoje e kemi edhe në Shqipëri”.
Ndërsa ministrja Gjermeni tha se, ëndrrat e dëshmorëve do të vazhdojnë të realizohen duke u bërë pjesë e familjes së madhe të BE-së.
Top Channel