Rama: Për herë të parë OSHEE ka dalë me fitim

04/05/2015 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për herë të parë ka arritur të dalë me fitim, duke mundur të përballojë gropën financiare që krijohet nga vjedhja apo humbja e energjisë.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm dhe tregues të mirëmenaxhimit të këitj operatori.

“Rezultatet e reformave do të vijnë. Ju jap nje shembull për këtë: për herë të parë në historinë e saj, në muajin prill, OSHEE ka dalë me fitim. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se për herë të parë në historinë e saj OSHEE-ja nuk ka nevojë të kërkojë para nga taksat për të mbuluar gropën që hapet nga vjedhjet.

Dhe për herë të parë në historinë e saj, OSHEE-ja fillon në 6-mujorin e dytë të investojë në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike me paratë e saja, pra nga kontributet e të gjithëve ju.

Që do të thotë që paratë që paguhen për energjinë elektrike janë investime për të përmirësuar cilësinë shërbimit, që ne e dimë shumë mirë dhe ju e dini më mirë që lë shumë për të dëshiruar, që nga shërbimi ndaj klientit, deri tek mënyra sesi bëhet faturimi.

Sistemi ynë i shpërndarjes në 85% të tij është mbi 40 vjeç. Llogarisni sikur të keni një makinë që 85% të trupit të saj e ka mbi 45 vjeç, përfytyroni se si mund t’i hipni asaj makine dhe të shkoni diku nëse trupit të ndryshkur të një “FIAT-i” të viteve ‘70 ju i vendosni dy rrota “Mercedesi” dhe thoni ‘përse nuk më çon në Tiranë’. E pra, sepse ky sistem kërkon investime”, deklaroi Rama.

Top Channel