Nishani shpall listën e gjyqtarëve. Tjetër betejë me shumicën?

04/05/2015 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shpallur listën e 15 aplikantëve që plotësojnë kriteret për dy vendet vakante në Gjykatën e Lartë.

Ky publikim rutinë i Presidentit nuk do të kishte tërhequr asnjë vëmendje, nëse prej vitit 2013 Gjykata e Lartë, me një numër rekord çështjesh për shqyrtim, nuk do të kishte vende të paplotësuara për shkak të konfliktit të hapur mes Presidentit dhe mazhorancës për procedurat, i krijuar pas rrëzimit të njëpasnjëshëm të 7 dekreteve të kreut të shtetit.

Ky konflikt mbeti i pranishëm edhe pas ndryshimit të ligjit për emërimet në Gjykatën e Lartë, kur Nishani, përmes procedurës së vjetër dërgoi edhe dy dekrete të tjera në Kuvend për Gjykatën e Lartë.

Ligji i ri për emërimet në këtë Gjykatë parashikon ngritjen e Këshillit Konsultativ pranë Presidentit, i përbërë nga 7 drejtuesit e institucioneve të drejtësisë në vend dhe ka si detyrë të verifikojë zbatimin e kritereve të emrave pretendentë për gjykatës në instancën më të lartë gjyqësore dhe renditjen e tyre, sipas këtyre kritereve të përmbushura.

Që prej hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Presidenti nuk e ka mbledhur asnjëherë Këshillin dhe publikimi i listës së aplikantëve është rasti të shihet nëse kreu i shtetit do të konsultohet me të për dekretet e emrave që do të çojë në Kuvend për votim.

Ligji i ri e detyron Presidentin ta thërrasë Këshillin brenda këtyre 5 ditëve, afat që i nis nga sot, kur Bujar Nishani ka nisur vizitën në SHBA.

Dekretimi i kandidatëve për Gjykatën e Lartë, mbi raportin që do të ndërtojë Këshilli Konsultativ, me fjalë të tjera do të tregojë nëse Presidenti do t’i përmbahet plotësisht zbatimit të ligjit të ri, që ai vetë e cilësoi antikushtetues.

Ajo që mbetet për t’u parë në këtë proces është nëse ndryshimet ligjore që u hartuan nga mazhoranca për t’i dhënë fund konfliktit mazhorancë-Presidencë për anëtarët e Gjykatës së Lartë do të përmbushë këtë pritshmëri, apo do të shkaktojë të kundërtën në marrëdhëniet e Nishanit me të majtët në pushtet.

 

Top Channel