Fier, prokuroria kërkon 2.5 vjet burg për kryebashkiakun Zeqo

04/05/2015 00:00

Prokuroria e Fierit ka kërkuar këtë të hënë dënimin me burg për kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Baftjar Zeqo, dhe për 7 punonjës të tjerë të këtij institucioni, të gjithë anëtarë të Komisionit të Strehimit, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Hetimi mbi ta kishte nisur në bazë të kallëzimeve të kryera nga 15 shtetas, të cilët kishin aplikuar pranë Bashkisë Fier për t’u trajtuar me banesa sociale si të pastrehë.

Kallëzimet, pavarësisht specifikave të tyre, në përgjithësi trajtonin të njëjtat problematika dhe shkelje të procedurave ligjore nga Komision i Strehimit, i ngritur për përzgjedhjen e aplikuesve si të pastrehë.

Nga materiali kallëzues dhe marrja në pyetje e personave, të cilët nuk janë kualifikuar për trajtim me banesë sociale, u konstatua se pretendimet e tyre lidhen së pari me faktin që Komisioni i Strehimit ka publikuar një listë, e cila nuk ishte e pikëzuar.

Në këtë mënyrë, asnjëri prej tyre nuk kishte mundësinë për të mësuar se me sa pikë ishte vlerësuar nga komisioni, që të kishte mundësinë të ankohej, nëse nuk ishte dakord me vlerësimin.

Konkretisht, në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Fierit ka kërkuar: dënimin me 2 vjet e gjysmë burg të kryetarit të Bashkisë, Zeqo dhe të 5 funksionarëve të tjerë: Agron Begaj, Fatmir Kajolli, Ramiz Hoxhaj, Alfred Boçova, Selman Braçe dhe Esmeralda Kapllanaj, të gjithë të akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Vetëm për shtetasen Mimoza Kollçinaku akuza ka qenë “falsifikimi i dokumentave” dhe dënimi i kërkuar është 4 vjet burgim. Ndërkohë, për disa prej të akuzuarve të tjerë prokuroria ka kërkuar edhe penalizimin me heqjen për dy vjet të të drejtës për të marrë poste publike.

Top Channel