Durrës, reagon Dako: Distancohemi nga incidenti i sajuar i Shkozetit

03/05/2015 00:00

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Shtabi elektoral i kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane, Vangjush Dako është distancuar nga incidenti, që ndodhi ditën e premte në zonën e Shkozetit.

Në deklaratën publike thuhet se, çdo akt vandal apo incident sporadik nuk do të ketë mbështetjen e strukturave të PS-së dhe koalicionit. Në lidhje me incidentin, kandidati Dako dhe shtabi i tij kanë hedhur dyshime mbi një ngjarje të inskenuar nga vetë demokratët për të akuzuar kundërshtarin, ndaj i bën thirrje PD-së të mos nxisë dhunë dhe përplasje fizike.

Ndërkaq, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka njoftuar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj dy 24-vjeçarëve nga Durrësi, si të përfshirë në konfliktin që ndodhi gjatë aktivitetit elektoral, ku mbeti i dëmtuar një simpatizant 21-vjeçar i Partisë Demokratike.

Ndaj dy të rinjve është ngritur akuza për “dëmtime të tjera me dashje”.

Reagimi i plotë i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako:

“Në emër të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe Shtabit elektoral të kandidatit të kësaj aleance në qytetin e Durrësit,  Vangjush Dako, shprehim indinjatën tonë të plotë me incidentin e ndodhur të premten midis disa të rinjve. Ne distancohemi plotësisht nga çdo akt dhune apo çdo gjest, që devijon nga filozofia jonë pozitive e fushatës, e komunikimit dhe sjelljes elektorale. Çdo akt vandal apo incident sporadik nuk ka dhe nuk do të ketë mbështetjen nga asnjë strukturë e PS-së dhe koalicionit tonë. Ne besojmë, që politika duhet t’i bashkojë dhe jo t’i ndajë qytetarët. Ne besojmë në qytetari dhe sjellje në shërbim të qytetarëve, ndaj cilitdo individ që dëshmon për tjetër sjellje nuk do të jetë i mirëpritur në familjen tonë politike. Nëse parti politike përdorin flamujt e fushatave si kamuflazh për veprime të dhunshme e për të akuzuar më pas kundërshtarin, ky nuk është problemi ynë. Ne i dënojmë akte të tilla dhe i bëjmë thirrje PD-së të mos nxisë dhunën dhe konfrontimet fizike. Fushata zgjedhore për kryetarin e Bashkisë së Durrësit është dhe duhet të mbesë një garë, ku të mbizotërojë forca e ideve, jo ideja e forcës. Aleanca e Shqipërisë Europiane do të bëjë një fushatë qytetare për qytetarët, që nga fillimi i saj dhe deri në shpalljen e rezultatit. Ndaj presim edhe nga pala tjetër politike të kontribuojë njësoj me ne, në mënyrë që të vendosim një standard qytetarie, ashtu siç e meritojnë qytetarët durrsakë”.

Top Channel