Ndalimi i abuzimit me naftën. Rama: Pasuritë kombëtare janë të popullit

01/05/2015 00:00

Katër dikastere dhe institucionet e tyre të varësisë do të jenë të përfshira në operacionin e kontrollit të shfrytëzimit dhe tregtimit të karburanteve, që për nga ngjashmëria do të jetë i njëjtë me atë të energjisë elektrike.

Përveç Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministria përgjegjëse e Energjetikës do të ndihmohet edhe nga Policia e Shtetit.

“Me këtë shpërndarje pikash karburanti në mënyrë tërësisht të paorganizuar, të paplanifikuar dhe në mënyrë tërësisht sporadike, gjithmonë do të jetë një sfidë e vërtetë për kontrollin. Prandja, ky kontroll do të jetë më i rreptë, më i imët dhe masat ndëshkuese do të jenë të tilla, që kushdo që të jetë duke abuzuar me karburantin, kudo ku të jetë në Shqipëri, do ta ketë shumë të vështirë”, tha ministri Damian Gjiknuri.

Të 4 ministritë do të rakordojnë shifrat e operacionit për t’i dhënë fund, asaj që kryeministri Rama e cilësoi si mashtrimi spektaktolar i shqiptarëve me sasinë dhe cilësinë e karburanteve në treg.

“Ajo që shënjohet në magazinat portuale dhe që prezumohet të ketë cilësinë e duhur, nuk është e njëjtë me atë që shitet. Kjo, sepse brenda futen lëndë të tjera, ai holluesi i famshëm, apo ku di unë se çfarë janë në gjendje të fusin shqiptarët kur futen në atë veprimin inovativ për t’ia hedhur tjetrit, atij që ia shesin, duke bërë një dëm kolosal. Dëm kolosal për ekonominë kombëtare, për ekonomitë familjare, por edhe një dëm kolosal që i shkaktojnë mjedisit. Kjo, sepse djegia e këtij lloj produkti të ashtuquajtur naftë, në të shumtën e herës, shpartallon edhe mushkëritë e shqiptarëve”, tha kryeministri Rama.

Operacioni i karburanteve, shtoi shefi i qeverisë, nuk synon rritjen e të ardhurave për arkën e shtetit.

“Synimi është të mbrojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë shqiptarët që përdorin naftën. Duke mbrojtur ata, do të kemi mbrojtur Shqipërinë nga përdorimi i një nafte që është jashtë standardeve dhe që kthehet në helm për mushkëritë e shqiptarëve”, theksoi më tej kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë deklaroi se do t’i jepet fund mënyrës së shfrytëzimit të pasurisë së nëntokës, që në këto 8 vite u janë dhënë kompanive që vetëm e kanë degraduar këtë pasuri të madhe të shqiptarëve.

Ashtu si edhe për energjinë, mashtrimi me karburantet do të konsiderohet vepër penale dhe dënimi për këtë do të jetë i ashpër, deklaroi Rama.

“Do të ashpërsohen, duke vendosur penalitete shumë të rënda për çdo abuzues, dhe duke ndjekur penalisht sipas rastit, të gjithë ata që shkelin ligjin në kurriz të konsumatorëve. Nga ana tjetër, çdo shitje do të raportohet online. Secili të respektojë ligjin dhe të fitojë atë që i takon. Sipërmarrja, atë që i takon, sigurisht edhe shteti pjesën e tij”, u shpreh Edi Rama, i cili e mbylli edhe me urimin “Gëzuar 1 Majin!”.

 

Top Channel