Naço: Historia e Çefës, e mbyllur. Presidenti të zgjedhë zv.kryetarin e KLD-së

29/04/2015 00:00

Ministri i Drejtësisë zgjodhi sërish mediat për të komunikuar me Presidentin si kryetar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t’i bërë thirrje që të zgjidhë sa më shpejt vakancën e zv.kryetarit në KLD.

“Kërkesa ime e bërë publike ndaj Presidentit të Republikës për emërimin e zv.kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, besoj që ka rënë në vesh të shurdhër, pra nuk kemi zbatimin e njëjtë dhe korrekt në frymë dhe në germë të ligjit. Për atë që u duket e lehtë dhe nuk cënon interesat e tyre e zbatojnë ligjin, dhe për atë që mendojnë që u janë prekur interesat e tyre nuk e fusin në rendin e ditës. Unë besoj dhe përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje prap Presidentit të Republikës që të në çdo rast të zbatojë ligjin, të propozojë dhe të emërojë zv.kryetarin e KLD, sepse ju e dini që ky Këshill nuk funksionon normalisht për shkak të mungesës së zv.kryetarit, që duhet të jetë me kohë të plotë dhe duhet të bëjë organizimin e të gjithë punës së KLD”- tha Naço.

Pak ditë pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi si antikushtetues nenin katër të ligjit për KLD, që zgjoi gjithashtu tek ish-zv.kryetari Çefa këmbënguljen  për t’u kthyer në KLD, Naço e shikon të parealizueshme këtë dëshirë.

“Jam i bindur që mazhoranca, si në çdo rast do të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, do bëjë ndryshimet dhe përmirësimet përkatëse, por nuk besoj…që ju patë sot zotin Çefa të kishte ardhur në detyrë. Rasti në fjalë ka qenë në disa kontestime të ligjit të bërë dhe është gjetur e papajtueshme neni katër i ligjit që ka të bëjë me rastet e shkarkimit të anëtarëve të KLD-së, qoftë ata të zgjedhur nga Konferenca e Gjyqtarëve, qoftë ata të zgjedhur nga Parlamenti”- deklaroi ministri i Drejtësisë.

Në mbledhjen e radhës KLD pezulloi nga detyra gjyqtarin e Kavajës Osman Aliu, i cili ka përfunduar si i pandehur në Gjykaten Penale të Tiranes, u shkarkua nga detyra gjyqtari i Pogradecit Dhimitër Pojanaku, aktualisht i vetmi zyrtar i dënuar me vendim të formës së prerë nga Krimet e Rënda për veprën e korrupsionit.

Nga ana e tij në përfundim të mbledhjes ministri i Drejtësisë u shpreh se nuk do lejojë që gjyqtari Gjin Gjoni, e po ashtu anëtar i KLD të shpëtojë nga drejtësia përmes rrugëve proceduriale.

Përgjegjësitë për sistemin gjyqësor, tha ministri i Drejtësisë, nuk i ka qeveria, por i ka KLD. “Pra gjyqësori sot ka fytyrën e KLD dhe të gjitha përgjegjësitë i takojnë këtij Këshilli, ndaj u bëj thirrje të gjithë anëtarëve që të tregojnë integritet duke zbatuar ligjin dhe rregulloren e KLD”.

Ministri i Drejtësisë shprehu vendosmërinë e mazhorancës për të vijuar me rrugën e reformave dhe me luftën antikorrupsion në sistemin e drejtësisë, ndihmuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa sa i takon vendimit të Kushtetueses për nenin 4, shtoi se mazhoranca respekton këtë vendim dhe se do ta korrigjojë atë.

Top Channel