Halim Kosova: Do të rrisim përfaqësimin e grave

29/04/2015 00:00

Halim Kosova thotë se është shumë komod të punojë me gratë, sepse gjatë gjithë viteve të punës së tij ato i kanë rezultuar të jenë efikase, të papërtuara, të dhimbsura dhe luajale.

Këtë frymë bashkëpunimi, kandidati i Partisë Demoratike premtoi se do ta konsolidojë kur të marrë drejtimin e kryeqytetit.

“Pse jo të mos e vazhdoj këtë eksperiencë edhe nesër në bashki? T’ju kem juve në krah për të drejtuar sektorë që kanë nevojë për zemërgjerësi, dashuri e njerzillëk”, u shpreh Kosova.

Në bashkëbisedimin me gra të profesioneve të ndryshme, zoti Kosova u tregua i gatshëm të përfshijë në programin e tij edhe forma të ndryshme për të ndihmuar biznesin.

“Ne kemi disa plane konkrete dhe dita ditës po afrohet periudha kur ne do t’i shpalosim dhe do të jenë programe realiste, të zbatueshme dhe të prekshme nga të gjithë. Dhe gjërat që do vendosen në to të mos ngelin në letër, por të kenë impakt tek ju”, tha Kosova.

Halim Kosova ishte edhe në një nga zonat e varfëra të kryeqyetit, tek njësia 4, pranë Shkollës së Bashkuar, ku banorët u ankuan për kushtet ekstreme të jetesës, për largime nga vendi për shkak të varfërisë dhe për heqje të padrejtë nga listat e ndihmës sociale, edhe pse 2 vjet më parë, sipas banorëve, u ishte premtuar rritje e ndihmës nga shteti.

Për të ndryshuar këto kushte, kandidati Kosova tha se qytetarët nuk duhet të shpërdorojnë votën në këmbim të një përfitimi afatshkurtër.

“Ka ardhur koha që duhet vlerësohet vota juaj. Dhe ju këtë mundësi për votë që keni ta shfrytëzoni për të mirën tuaj, për një perspektivë. Nuk është puna të fitoni diçka në votim, por për të fituar në 4 vjet”, tha Kosova.

Top Channel