
Gjendet trupi i pajetë i 17-vjeçarit nga Mitrovica, Sead Alushi, në lumin Ibër. Lajmin e konfirmuan për Top Channel familjarë të të ndjerit, të cilët thanë se e kanë identifikuar atë bazuar në rrobat dhe sendet që ka pasur në trup.
Sipas policisë, trupi i pajetë është gjetur nga njësitet e kërkim-shpëtimit të FSK-së rreth orës 13:00, këtë të martë.
Zëvendëskomandanti policor për Veriun, Besim Hoti nuk konfirmoi gjë, nëse bëhej fjalë për Sead Alushin. Ai tha se, fjalën përfundimtare do ta japë departamenti i Mjekësisë Ligjore. Drejtori i këtij departamenti, Arsim Gërxhaliu tha se ekspertët do ta identifikojnë të mërkurën viktimën, si dhe do të bëjnë të ditura shkaqet e vdekjes.
Sead Alushi konsiderohet i zhdukur që nga data 10 Prill, nga një ngjarje ende e pasqaruar në pjesën veriore të Mitrovicës, afër objektit të një pronari serb pranë lumit ibër, ku sipas informatave të familjarëve kishte shkuar për të blerë një qen.
Top Channel