Të shtunën në Prishtinë është hapur Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Vas Travel Fair 2015”, me njëzet e pesë kompani të ndryshme të turizmit.
Në hapjen e këtij panairi, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami ka deklaruar se aktivitete të tilla kanë ndikim në zhvillimin e turizmit dhe ekonominë në përgjithësi.
“E dimë të gjithë që Kosova ka potencial për zhvillimin e turizmit malor, alpinizmit, atij kulturor, bazuar në trashëgiminë historike e kulturore. Po ashtu, ekzistojnë edhe potenciale për zhvillimin e turizmit rural, ekologjik dhe turizmit alternativ. Me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, krijimin e linjave ajrore me shtetet e rajonit dhe më gjerë, po krijon mundësi për zhvillimin e turizmit ndërkufitar”, tha Bajrami.
Ministrja Bajrami shtoi se turizmi është një sektor i rëndësishëm në Kosovë, jo vetëm se krijon vende pune në mënyrë shumë të shpejtë, por është një mundësi për përmirësimin e imazhit të shtetit tonë të ri, i cili siç tha ajo, është shumë më i mirë nga sa paraqitet në mediat ndërkombëtare.
Ndërsa Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se turizmi ndërton ura që kanë rëndësi shumë të madhe.
“Vetë fakti që Kosova dhe Prishtina është kryeqytet i turizmit të regjionit e ka një risi strategjike. Vetë fakti që një panair i tillë dëshmon qëndrueshmërinë ekonomike dhe trendet pozitive në Kosovë, e ka një rëndësi të veçantë, dhe vetë fakti që përmes panaireve të tilla fillon të përmirësohet imazhi i Kosovës, është një vlerë e veçantë që i jep karakteristikë këtij panairi”, deklaroi ai.
Panairi Ndërkombëtar i Turizmit u hap në Prishtinë, pas Shkupit e Tiranës.
Top Channel