Nga Cakrani kanë ikur 1000 familje. Basha: Shqiptarët, pa punë dhe pa asnjë të ardhur

23/04/2015 00:00

Partia Demokratike thotë se gjatë javëve të fundit, nga zona e Cakranit në Fier, kanë emigruar rreth 1000 familje. DDisa nga banorët i treguan kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për largimin e të afërmve të tyre.

“Mua më ka ikur një djalë 15-vjeçar. Këtu e gjejnë veten të pasigurtë dhe të pashpresë. Do ikim, nuk kemi çfarë të bëjmë”, shprehen banorët.

Banorët e Cakranit u ankuan për përkeqësimin e jetesës në vend, një fakt ky, sipas kryetarit të Partisë Demokratike, që mbështetet edhe nga shifrat e reja të varfërisë.

“Po ikin se s’kanë punë, s’kanë lekë, po ikin se s’kanë bukë, po ikin se nuk kanë shpresë. Varfërinë e kanë pesëfishuar. A e dini ju që numri i shqiptarëve që jetojnë me një dollar, me 1 mijë lekë të vjetra në ditë, është pesëfishuar në një vit? Prandaj, më 21 Qershor, ju keni në dorë jo vetëm t’i thoni ndal së keqes, por edhe të rikthejmë shpresën”, tha Basha.

Po si rikthehet shpresa? Në Tiranë, duke folur për ekonominë dhe sfidat e demokracisë në Shqipëri, Lulzim Basha tha se detyra e parë e politikës është të rikthejë besimin e shqiptarëve se vota e tyre mund të ndryshojë për mirë të ardhmen: “Që do të thotë se shqiptarët me votë mund të vendosin për programin më të mirë dhe jo për mashtrimin më të madh. Vota e shqiptarit nuk vlen 50 euro dhe ulje koke për 4 vitet e ardhshme”.
 
Kreu i opozitës i cilësoi të dështuara politikat e qeverisë për rritjen e taksave, duke këmbëngulur se ulja e taksave është vendimi më i mirë për të nxjerrë vendin nga rruga e gabuar aktuale.

“Ne besojmë se rikthimi i shpresës tek ekonomia shqiptare shkon përmes një politike të zgjuar të taksave të ulëta, sikundër i kemi bërë dhe u bëjmë thirrje shqiptarëve që 21 Qershorin ta konsiderojnë edhe një referendum për taksa të ulëta, edhe për uljen e çmimit të energjisë e naftës, duke votuar për opozitën”, theksoi Basha.

Top Channel