FRD zbardh marrëveshjen me PS-në; rishikim Kushtetutës dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor

23/04/2015 00:00

Partia Fryma e Re Demokratike (FRD) ka zbardhur këtë të enjte marrëveshjen e arritur me Partinë Socialiste (PS) për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit, ku dy ndër pikat e rëna dakord është rishikimi i Kushtetutës dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Më poshtë vijon e plotë marrëveshja PS0-FRD:

“Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit 2015, zgjedhje që përbëjnë aksionin dhe përballjen politike të radhës në funksion të rinovimit të strukturave të qeverisjes lokale.

Duke i konsideruar këto zgjedhje si të rëndësishme për të vlerësuar shkallën e demokracisë dhe si mundësi për të administruar dhe krijuar shërbime cilësore për qytetarët kudo ku janë;

Duke riafirmuar respektin e palëkundur për parimet demokratike dhe të drejtat themelore të njeriut, të fiksuara në Kushtetutën e Shqipërisë në dokumente ndërkombëtare dhe në ligjet e tjera të vendit;

Duke vlerësuar përpjekjet e kryera në përmbushjen e 5 prioriteteve të mbetura në funksion të objektivit kombëtar të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian;

Duke pranuar se, zhvillimi i demokracisë nuk përjashton askënd në kontributin që shkon në funksion të proceseve transformuese që do të shënonin fundin e tranzicionit dhe ndërtimin e një shteti të drejtë për shqiptarët;

Duke konsideruar të rëndësishme shprehjen e gjallë të vullnetit për të ndërtuar një politikë luajale që do t’i ndihmonte konstruktivitetit dhe bashkëpunimit politik në vend;

Duke qenë të bindur se është koha kur retorikat politike mbi nevojën e konsensusit duhet t’u lënë vendin punëve të përbashkëta në shërbim të shtet-formimit, ndërtimit të institucioneve dhe përfundimit të reformave që do të nxisnin zhvillimin dhe progresin;

Duke e konsideruar të rëndësishëm rolin e Shqipërisë në politikën rajonale dhe më gjerë; dhe,

Duke ritheksuar besnikërinë ndaj identiteteve politike të çdo force, nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, të kristalizuara në programet politike respektive:

Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Fryma e Re Demokratike zhvilluan një proces për identifikimin e pikave dhe shqetësimeve të përbashkëta, që kanë të bëjnë me domosdoshmërinë për të ndërtuar një politikë konstruktive në rrafshin e reformave që lidhen me shtetformimin, reformën në drejtësi dhe integrimin në Bashkimin Europian, çka bën të mundur bashkëpunimin mes tyre në fushën e zgjedhjeve administrative të radhës.

Palët në këtë marrëveshje ritheksojnë se, krahas nevojës për bashkëpunim në zgjedhje dhe nevojës për zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe në përmbushje të standardeve, Shqipëria ka domosdoshmëri realizimin e reformave të thella që lidhen me:

-Rishikimin e Kushtetutës për të rikthyer balancën e pushteteve, si përgjigje për proceset e nisura dhe të pritshme të anëtarësimit në Bashkimin Europian;

-Ndryshime në Kodin Zgjedhor në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese për një votë të lirë, të drejtë dhe të barabartë;

-Finalizimin e reformës në drejtësi si mundësi për të përmbushur realisht objektivat në funksion të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, rikthimit të besimit të qytetarëve tek sistemi i drejtësisë dhe sigurimit të investimeve të huaja në vend;

-Avancimin pa vonesë drejt proceseve që mundësojnë shpejtimin e hapave drejt integrimit europian të Shqipërisë.

Në përfundim të bisedimeve të përbashkëta mes Partisë Socialiste dhe Frymës së Re Demokratike, palët u dakordësuan për nevojën e reformave të sipërpërmendura dhe vendosën të bashkëpunojnë në kuadër të zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit 2015.

Partia Socialiste ra dakord të zgjerojë spektrin politik të kësaj aleance me kontributin politik të FRD-së dhe FRD shpreh angazhimin e saj për fitoren e këtyre zgjedhjeve në kuadër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Me qëllim përmbushjen e objektivave të parashikuara në këtë marrëveshje palët angazhohen të kontribuojnë nëpërmjet kapaciteteve të tyre politike dhe profesionale dhe të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje.

Ne ndajmë bindjen se çdo marrëveshje që i kontribuon përmirësimit së jetës së qytetarëve, mirëadministrimit të pushtetit dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës është një gur i çmuar në themelin e demokracisë së sotme dhe të nesërme”.

Top Channel