Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë

20/04/2015 00:00

Ndërtimi i rrugës së re Qukës-Qafë Plloçë, 43 kilometra e gjatë, nis për një muaj dhe do përfundojë brenda tre vitesh. Nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e saj është realizuar në Ministrinë e Transporteve.

Ky segment do të jetë vazhdim i “Korridorit 8” dhe synon përmirësimin e lidhjeve me juglindjen e vendit dhe me Greqinë. E gjithë rruga kalon në zonën e Mokrës në Pogradec, me probleme të mëdha me punësimin. Sipas ministrit Edmond Haxhinasto, ky projekt ndikon direkt në ndryshimin e situatës.

“Veçanërisht i shërben ekonomisë, turizmit, por edhe punësimit, të gjithë banorëve të zonës, të Qukësit, Mokrës, Pogradecit, pasi është një vepër që kërkon angazhime të mëdha si në fuqi inxhinjerike ashtu edhe në kapital njerëzor. Ky projekt parashikohet të realizohet në një periudhë trevjeçare”, deklaroi Haxhinasto.

Projekti kushton 152 milionë dollarë dhe financohet nga Banka Islamike për Zhvillim dhe Fondi Saudit për Zhvillim. Me gjatësi 43 kilometra, rruga do jetë e gjere 12 metra dhe do ketë edhe një tunnel 375 metra të gjatë.

Bashkë me rrugën e re Lin-Pogradec, projektin e unazës së këtij qyteti që tashmë është gati, aksi Qukës-Qafë Plloçë synon të përmirësojë ndjeshëm komunikimin dhe ekonominë e gjithë zonës, veçanërisht Bashkisë se re të Pogradecit.

Top Channel