Prefekti Vorpsi mbledh vendorët: Luftë kultivimit të bimëve narkotike

15/04/2015 00:00

Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, mblodhi sot në një tryezë krerë të komunave dhe bashkive të Qarkut Tiranë, drejtues rajonalë të kryeqytetit dhe të policisë, me të cilët diskutoi mbi luftën ndaj kultivimit dhe shpërndarjes së bimëve narkotike në këtë qark.

Vorpsi theksoi se, eliminimi i bimëve narkotike në territorin e Qarkut të Tiranës, por edhe në të gjithë vendin, është një çështje me interes kombëtar dhe ndërkombëtar që lidhet me sigurinë. “Kultivimi i narkotikëve mohon shtetin e së drejtës, ekonominë dhe shëndetin publik. Për të gjithë këtë proces në funksion të zbatimit të ligjit, mbështetja dhe bashkëpunim me qeverisjen vendore janë të domosdoshme”, u shpreh ai.
 
Prefekti Vorpsi renditi zonat më problematike në këtë qark për kultivimin e kanabis sativa, siç janë komunat Dajt, Zall Bastar, Shëngjergj, Zall-Herr, Golem, Gosë, Lekaj, Synej, Kryevidh dhe Bashkia Rrogozhinë. “Këto janë identifikuar si zona me risk të lartë për kultivimin e bimëve narkotike dhe, për këtë qëllim, komisariateve respektive u është lëne detyrë e veçantë në planin e veprimit të përpiluar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut për goditjen e këtij fenomeni, për të përpiluar plan-masash të veçantë për kontrollin e këtyre zonave dhe parandalimin e çdo aktiviteti kriminal”, shtoi ai.
 
Tryeza e sotme erdhi pas një sërë takimeve të organizuara me të gjitha njësitë e qeverisjes vendore dhe drejtoritë rajonale të Qarkut, për të shqyrtuar problematikat dhe për të nxjerrë detyrat për secilin institucion, me qëllim rritjen e sensibilizimit ligjor e moral të parandalimit të kultivimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike.
 

Top Channel