Shkodër, Bazhdari takon grupet e interesit: Të nxjerrim në pah vlerat e harruara

14/04/2015 00:00

Në kuadër të hartimit të programit të qeverisjes lokale për Bashkinë e Shkodrës, kandidatja për kryetare bashkie e koalicionit të majtë, zonja Keti Bazhdari ka organizuar një takim pune me grupet e interesit, me temë “Shoqëria Civile nën moton, Partner së bashku në shërbime për Shkodrën”.

Ky takim kishte si qëllim një vështrim të përgjithshëm të shërbimeve për Shkodrën, nevojat për ndërhyrje dhe mundësitë e fuqizimit të partneritetit të tyre, edhe me shoqërine civile në të ardhmen nga zonja Keti Bazhdari, gjatë mandatit si kryetare e ardhshme e Bashkisë së Shkodrës.

Ky takim ishte konceptuar në ndarjen e pjesëmarrësve, sipas fushës ku ata veprojnë, si dhe bërjen e një analize mbi praktikat e mira, nevojat për përmirësime dhe mundësitë për bashkëpunime. Në fund të takimit janë prezantuar edhe gjetjet e grupeve, të cilat do të jenë pjesë e programit të ardhshëm të qeverisjes lokale.

Ndërkohë, një mbështetje për shoqërinë civile ka dhënë dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në takimin e zhvilluar me stafin e punës së kandidates për kryetare bashkie, Keti Bazhdari.

Nga ana tjetër, kandidatja e mazhorancës në garën për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari ka deklaruar se pjesë e planit të punës së stafit të saj është nxjerrja në pah e vlerave të harruara në qytetin e Shkodrës.

Top Channel