Rruga e Arbrit, Haxhinasto publikon projektin e kompanisë kineze

14/04/2015 00:00

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto zbardhi për herë të parë propozimin e shumëdebatuar të kompanisë kineze “China State Construction” për ndërtimin e 26.94 kilometrave në Rrugën e Arbrit.

“Për këtë segment, kjo vlerë që unë thashë sot, 28.8 miliardë është vlerë e projektit e llogaritur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërkohë që kompania kineze ka paraqitur një vlerë rreth 25 për qind më të ulët për realizimin e këtij segmenti, është rreth 21 miliardë lekë. Është hera e parë që qeveria kineze ka rënë dakord të mos pranojë ose të mos detyrojë vendin përfitues që të japë garanci sovrane”, deklaroi ministri i Transporteve.

Haxhinasto tha se ende nuk është vendosur përfundimisht sesi do të financohet rruga, nëse do të jetë me pagesë për qytetarët apo direkt nga buxheti. Sipas ministrit të Financave më shumë gjasa ka varianti i dytë.

“Unë jam këtu pikërisht për këto dy gjëra, që të parashikoj brenda buxhetit të të gjithë viteve, nga 20-30 milionë euro në vit kosto që do të duhet të përballojë buxheti. Ne kemi bërë llogaritjet tona dhe gjykojmë që janë të përfshira brenda tavaneve të borxhit dhe brenda tavaneve të buxhetit”, tha ministri Cani.

Rruga e Arbrit ka një gjatësi totale prej 65 kilometrash dhe përbëhet nga katër segmente me kosto totale prej 36 miliardë lekë përafërsisht. Pjesa prej 26.94 kilometra nga Tujani tek Ura e Vashës, që do të ndërtojë kompania kineze, është ajo me koston më të lartë. Për opozitën, ky është rezultat i procedurës së dyshimtë që po ndjek qeveria.

“Çfarë e bën më të rrezikshme këtë procedurë? Së pari, ajo që është duke ndodhur; përshpejtimi i kostove të ndërtimit të këtij segmenti rrugor të gjatë prej 26 kilometrash që ndërtohet me 10 mln dollarë kilometri, që nuk do t’u nënshtrohet procedurave të konkurrimit publik, tenderit, konkurrencës së kompanive për të ulur koston”, deklaroi anëtari demokrat i Komisionit të Ekonomisë, deputeti Ridvan Bode.

Segmenti Tujan-Ura e Vashës ka një gjatësi totale prej 26.94 kilometra. Ndërtimi i tij do të bëhet me një procedurë të veçantë, jashtë ligjit të koncesioneve. Investimi do të financohet nga një kredi e Bankës Kineze të Eksporteve dhe do të paguhet më vonë në këste vjetore nga buxheti.

Top Channel