Nishani kthen në Kuvend ligjin për shërbimin diplomatik

11/04/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani ka kthyer mbrapsht, për rishqyrtim në Kuvend ligjin e Këshillit të Ministrave për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë.

Në qëndrimin e tij kreu i shtetit argumenton se disa pika të ligjit përbëjnë rrezik për politizimin e shërbimit diplomatik dhe për promovimin e personave të pakualifikuar.

“Rregullimet ligjore të parashikuara në lidhje me shërbimin diplomatik duket se do të ndikojnë në drejtim të politizimit të diplomacisë, gjë e cila është e papranueshme për një vend që aspiron të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Në ligj dhe në relacionin shoqërues të projektligjit flitet për karrierë në diplomaci, por ndërkohë ‘de facto’ ligji do të krijojë shumë hapësira që politika të promovojë persona, të cilët nuk janë pjesë e sistemit apo që të kenë një karrierë diplomatike.

Në këtë mënyrë ekziston mundësia që të fundoset e gjithë trupa e diplomatëve të karrierës dhe të krijohet një trupë e diplomatëve të rinj, që nuk kanë një karrierë diplomatike, por që i shërbejnë politikës së radhës që është në pushtet”, thotë Nishani në një njoftim për shtyp.

Konkretisht janë 6 pikat e projektligjit që kreu i shtetit i ka cilësuar si të papranueshme.

1. Neni 26. Ligji nuk ka vendosur asnjë kufizim për përzgjedhjen e personave jashtë sistemit të diplomacisë, duke bërë të mundur që në çdo rast të shpërfillet trupa e diplomatëve me grada në Republikën e Shqipërisë në këto 17 vite.

2. Neni 27. Komisioni i Posaçëm, i cili i propozon Ministrit të Punëve të Jashtme kandidaturën është i zgjedhur nga vetë ministri, i cili është një pozicion politik dhe duke mos pasur një përcaktim të qartë sa i takon numrit të krerëve të misioneve që vijnë nga diplomatët e karrierës dhe atyre që vijnë jashtë sistemit të diplomacisë, në çdo rast është i ekspozuar nga ndërhyrjet politike dhe falë këtyre rregullimeve ligjore është i justifikuar në çdo rast të përzgjedhë si krerë të misioneve persona, të cilët deri dje mund të kenë qenë pjesë aktive e politikës. Kuptohet që një Komision i tillë i përbërë nga anëtarë të përzgjedhur nga Ministri, ka të gjitha gjasat të përzgjedhë personat e paracaktuar dhe të dëshiruar nga Ministri apo partia e radhës në pushtet.

3. Paragrafi i katërt i nenit 26 të ligjit krijon mundësinë që kandidatët të dëgjohen paraprakisht nga Komisioni për Politikën e Jashtme dhe opinioni i tyre t’i përcillet Presidentit të Republikës. Nuk është përcaktuar qartë momenti se kur do të thirret në seancë dëgjimore kandidati i propozuar; nuk është përcaktuar procedura që do të ndiqet nga Komisioni për Politikën e Jashtme dhe as afati kohor kur ky komision do të dërgojë raportin tek Presidenti i Republikës, për t’i dhënë mundësi që ky i fundit të shprehet përfundimisht referuar përcaktimeve kushtetuese. Ky përcaktim është më se i nevojshëm, kur ligjvënësi ka përcaktuar dhe një afat kohor që Presidenti të shprehet.

4. Në paragrafin e dytë të nenit 26 përcaktohet se: ‘Ambasadori emërohet dhe lirohet nga Presidenti i Republikës, jo më vonë se 30 ditë pas propozimit të Kryeministrit’. Në kushtet kur Ligji nuk përmban afate ligjore për komisionin e posaçëm, Ministrin apo Kryeministrin është e papranueshme të përmbajë afate ligjore për Presidentin e Republikës.

5. Nuk kuptohet se çfarë vlere ka konkurrimi i hapur në shërbimin e jashtëm, kur në nenin 27 dhe 31 përcaktohet se përmes emërimeve në përfaqësitë diplomatike mund të punësosh pa kufizime në drejtim të personave të pranuar nga jashtë sistemit të diplomacisë.

6. Në nenin 47 të ligjit parashikohet se në dhënien e gradave ngrihet një Komision i Karrierës, i cili referuar nenit 52 të ligjit përcakton se përbëhet nga pesë anëtarë (Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Drejtori i Burimeve Njerëzore i MPJ-së dhe tre diplomatë karriere me gradën më të lartë) të cilët emërohen nga Ministri i Punëve të Jashtme. Vlerësoj se kandidatët për gradat e larta “Ambasador” duhet të dëgjohen edhe në Komisionin e Shërbimit të Jashtëm para se t’i propozohen Presidentit të Republikës.

Top Channel