“Në maj 1996 socialistët u dhunuan me brutalitet nga qeveria e PD”, Rama nga Korça: Edhe qielli nisi të vajtojë kur kujtojmë ato vuajtje

28/05/2026 17:50

Rama ndodhet në Korçë në festimet e 35-vjetorit të Partisë Socialiste. Në fjalimin e tij, ai kujtoi kohët e vështira të forcës politike që drejton.

“Kënaqësi të jem këtu mes jush në këtë park gjithnjë e me më shumë skulptura dhe pastërti. Jemi mbledhur për të kremtuar një moment që lidh bashkë historinë me ardhmërinë dhe nuk mund të mos e përsëris se një koicidencë e madhe e bashkoi me një datë dy momente kyçe të socialistëve.

26 maj të 1996 socialistët u përballën me furinë e një dhunë dhe një brutalitet që ngjalli një sfidë demokracie, që u shfaq shumë më e madhe se në kohën kur u përmbys demokracia.

Ata që ishin në vijën e parë si përfaqësues, drejtues apo komisionerë, u dhunuan, ashtu siç u dhunua edhe rezultati i zgjedhjeve nga pushteti i degraduar i PD. Ai moment është i papërfytyrueshëm për të rinjtë që janë këtu dhe ata që nuk e kanë jetuar atë moment demokratik.

Është e paimagjinueshme për disa këtu, kur opozita dhunohej sistematikisht. Ishte vetëm ekrani i TV shtetëror dhe në asnjë rast opozita nuk shfaqej. Edhe kur bëhej, shoqërohej nga komenti negativ i spikerit. Ishte vetëm një gazetë opozitare, edhe ajo u bë shkrumb e hi.

Nuk mund të ndodhte që të ishe në opozitë dhe të mos keqtrajtoheshe duke u denigruar dita-ditës. Selia e PS u fut në një cep. Edhe qielli nisi të përlotet dhe të vajtojë kur kujtojmë sesi ishte ajo kohë”, tha Rama mes të tjerash.

Top Channel