Masakra në Vlorë, ‘arrest me burg’ për dy nga të akuzuarit

10/04/2015 00:00

Dy të arrestuarit nga Policia e Vlorës, si të përfshirë në konfliktin e
armatosur që u regjistrua mesditën e së martës, ku mbeten tre të vrarë
dhe një i plagosur, u paraqitën sot para trupit gjykues në Vlorë.

Ani Begaj dhe Bertil Alliaj, të akuzuar për vrasjen e dy personave kanë hyrë në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa Aleksandër Llanaj, tjetër i arrestuar për këtë ngjarje ndodhet ende në spital, ndaj masa e sigurisë për të pritet të jepet një tjetër ditë.

Gjykata e Shkalles së Parë Vlorë e kryesuar nga gjyqtari Ervin Troshi dhe prokuror Elona Alvora kanë dhënë masën e sigurisë për dy të rinjtë ‘arrest me burg’, ndërsa i dyshuari i tretë Aleksandër Llanaj do ta marrë masën e sigurisë, në ambientet e spitalit ku po kurohet.

Tre persona mbetën të vrarë gjatë përplasjes me armë në lagjen e njohur si “Çole”, ndërsa një person i katërt mbeti i plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e jashtme të lokalit “Adore”, kur nga dy makina BMW X5 u qëllua me kallashnikov në drejtim të 27-vjeçarit Alfred Velaj dhe 29-vjeçarit Haki Rakipaj, që ndodheshin të ulur në lokal. Por dy të rinjtë u kundërpërgjigjën duke qëlluar me pistoletë kundrejt autorëve, e për pasojë humbën jetën Albi Limaj dhe u plagos Aleksandër Llanaj, ndërsa edhe Velaj me Rakipaj nuk mundën t’u rezistonin plagëve të marra duke ndërruar jetë.

Top Channel