1 miliard euro për termocentralin “Kosova e Re”

10/04/2015 00:00

Rreth 1 miliard euro pritet të kushtojë ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, me kapacitet prodhues përfundimtar prej 600 megavatë.

Ndonëse ende pa detaje të sakta, qeveria e Kosovës planifikon që ky projekt të nisë së realizuari vitin e ardhshëm dhe të përfundojë në vitin 2021.

Të dhëna të tjera janë vënë në programin e qeverisë, sipas të cilit kapaciteti prodhues do të jetë 1.200 megavatë, 600 prej të cilave do të ndërtohen deri në vitin 2019 dhe pjesa tjetër në vitin 2023.

Ajo çfarë është e rëndësishme, sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci është se Kosova duhet patjetër të ndërtojë kapacitete të reja prodhuese me tarifa të përballueshme të energjisë për qytetarët.

“Koston totale mund ta dimë në fazën e ndërtimit, por vlera e përafërt në bazë të analizave që i kanë bërë ekspertët, një kompani gjermane, është rreth 1 miliard. Dhe në këtë vlerë, si strukturë financiare një e treta është nga institucionet private dhe dy të tretat nga institucionet financiare shtetërore apo bankat komerciale nëse shohin interes”, sqaron Stavileci.

Ekzekutivi kosovar është përballur me jo pak kritika nga opozita dhe shoqëria civile për faktin se kishte vazhduar garën me vetëm një ofertues, “Countour Global” nga Amerika, pavarësisht se ligji kërkon konkurrencë në tenderët publikë.

“Natyrisht që do të ishte më mirë që të kishte më shumë pjesëmarrës në tender, por në momentin që kemi një dhe ligjet e lejojnë, ne do të vazhdojmë procesin. Ne punojmë edhe me praktikat ndërkombëtare që janë të Bankës Botërore. BB është bashkë me ne në varkë dhe ata na kënë thënë që kjo nuk është në kundërshtim me këto praktika. Ndaj unë mendoj që në situatën që ndodhemi, ne absolutisht që duhet ta zbatojmë ligjshmërinë. Duhet të kemi parasysh se nuk kemi alternativë tjetër përpos ndërtimit të kapaciteteve të reja”, nënvizon Stavileci.

Projekti për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” është ide e vjetër, por që Kosova deri më tani nuk ka mundur ta realizojë. I filluar në vitin 2005 në kuadër të strategjisë për zhvillim të energjisë për të prodhuar 2 mijë megavatë, projekti pas dy vitesh zbriti kapacitetin prodhues në 1 mijë.

Ndryshimi më i fundit u bë në vitin 2010 kur qeveria Thaçi zvogëloi sërish kapacitetet nga 1000 në 600 megavatë. Ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar u bë oferta e vetme nga kompania amerikane “Countour Global”.

Top Channel