Meta: Politika duhet të udhëhiqet nga ëndrrat dhe shpresat e fëmijëve

04/04/2015 00:00

Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, i cili mori pjesë këtë të shtunë në
hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Gjuhës dhe Kulturës që mbahet në
Tiranë, tha se politika duhet të udhëhiqet nga ëndrrat dhe shpresat e
fëmijëve.

Duke iu referuar konflikteve në disa vende të botës, Meta theksoi se, gjithnjë e më shumë fëmijët janë bërë viktima të politikës së gabuar, të politikës që synon konflikte. “Fëmijët në Irak, në Siri dhe në Ukrainën Lindore vuajnë dhe janë viktimat më të pambrojtura të këtyre konflikteve”, shtoi ai.

“Endrra e të gjithë fëmijëve është një e ardhme e sigurt. Ndaj, mesazhi më i mirë për shoqërinë tonë, për politikën tonë, ende të ndarë në shumë çështje, është të bashkojmë energjitë për fëmijët, që ngjyrat dhe ëndrrat e tyre të jenë sa më të suksesshme e t’i mbështesim. Eshtë e rëndësishme që në çdo vendimmarje të udhëhiqemi nga ëndrrat e tyre”, apeloi Meta.

Kreu i Kuvendit kërkoi nga fëmijët të kenë besim se ëndrrat e tyre do të jenë parësore. “Të vëmë në plan të parë ëndrrat dhe shpresat e fëmijëve, sepse ashtu sikurse ata kanë një rol të rëndësishëm për të mbajtur të bashkuar familjen, ashtu duhet të kenë besim se bota është e tyre”, tha Meta.

Top Channel