Shqipëri-Kosovë, nga maji dogana të përbashkëta

02/04/2015 00:00

Nga 1 maji i këtij viti, Kosova dhe Shqipëria pritet që për herë të parë të kenë një pikë doganore të përbashkët.

Kjo u bë e ditur pas një takimi të zhvilluar në Prishtinë mes drejtorit të Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe homologes nga Shqipëria, Irena Beqiraj, njëkohësisht zëvendësministre e Financave.

“Shpresojmë që në 1 maj të kemi mundësi të ofrojmë për herë të parë një doganë të përbashkët. Do kemi shumë shpejt një grup pune në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të kenë një kufi të përbashkët doganor dhe që ndoshta brenda 6-mujorit të parë të kemi mundësi të heqim disa nga ato tarifa ekonomike që pengojnë, ose bëhen barrë për bizneset shqiptare dhe kosovare, siç janë kostot e transportit”, deklaroi Beqiraj.

Top Channel ka mësuar se terminalet doganore do të hiqen brenda muajit prill, ndërsa përshpejtimi i proçedurave të kalimit të perimeve është çështje ditësh. Kjo u vlerësua si lehtësi e madhe sidomos për produktet ushqimore dhe bujqësore, pasi shkurtohet koha e pritjes në terminal në mënyrë që këto produkte të dalin të freskëta në tregjet përkatëse.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se pas funksionalizimit të tranzitit të përbashkët po punohet për shndërrimin e kufirit në kufi virtual, si lehtësim për bizneset e dy vendeve.

“Prej më shumë se 1 muaji në dogana është duke funksionuar tranziti i përbashkët. Ne jemi duke parë mundësitë se ku mund të shkojmë më tej me thjeshtëzimin e procedurave, në mënyrë që ta lehtësojmë sa më shumë qarkullimin e mallit dhe t’i japim jetë vizionit tonë që kufiri të mos jetë pengesë e të bërit biznes, por të shndërrohet në një kufi virtual, siç i takon shekullit XXI”, deklaroi Rafuna.

Lidhur me lehtësimin e të bërit biznes nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas, tashmë është miratuar marrëveshja e tatimit të dyfishtë nga dy qeveritë, e cila ka kaluar në Parlamentin shqiptar dhe pritet që shpejt të kalojë edhe në Kuvendin e Kosovës.

Top Channel