Zyrtarë të FBI-së në Tiranë, takojnë Ramën e Tahirin për krijimin e BKH-së

01/04/2015 00:00

Një grup drejtuesish të lartë të Byrosë Federale të Hetimit, i përbërë nga zv.ndihmës drejtori J. Chris Warrener dhe zv.ndihmës drejtori Brian McCauley, kanë zbarkuar në Tiranë.

Një burim diplomatik tha për Top Channel se delegacioni i lartë i FBI-së kërkon të hedhë piketat e nisjes së një bashkëpunimi më të gjerë me qeverinë shqiptare.

Për më shumë se dy orë në ambientet e Ministrisë së Brendshmë, drejtuesit e FBI-së zhvilluan një takim me ministrin Saimir Tahiri, i cili ka kërkuar që rekrutimi i personelit të Byrosë Kombëtare të Hetimit të mbikëqyret nga FBI-ja, pasi byroja shqiptare që në ditët e saj të para do ta nisë punën me një detyrë të re nga qeveria, atë të hetimeve intensive të evazionit fiskal.

Drejtuesit e FBI-së kanë bashkëbiseduar edhe me kryeministrin Edi Rama në selinë e qeverisë. Kërkesa primare e Ramës në këtë takim ka qënë këmbëngulja e tij, shprehur amerikanëve prej kohësh, që Byroja Kombëtare e Hetimit të merret në patronazh nga FBI.

Sipas të njëjtave burime, kjo kërkesë e Ramës ka ngjallur interes tek pala amerikane. Duket se kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore e ftesës dhe takimit në selinë qëndrore të FBI-së disa javë më parë e ministrit Saimir Tahiri.

Gjatë bashkëbisedimit me drejtuesit e FBI-së për strukturën e shumëdebatuar të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Rama është shprehur se me këtë mekanizëm dhe nën mbikëqyrjen e FBI-së, Shqipëria do të luftojë jo vetëm krimin e organizuar por edhe krimin ekonomik dhe korrupsionin e zyrtarëve.

Mësohet gjithashtu se kryeministri ka kërkuar nga FBI edhe asistencë të drejtpërdrejtë për “Akademinë e Policisë” nga akademia e famshme e antikrimit amerikan.

Për takimet me Ramën dhe Tahirin, nëpërmjet një postimi në Facebook, Ambasada Amerikane ka bërë me dije se, drejtuesit e FBI-së ishin në Tiranë për të diskutuar mbështetjen për Byronë Kombëtare të Hetimit që do të ngrihet, si dhe mundësitë për të zgjeruar përpjekjet rajonale kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Në këto takime, theksohet në njoftimin e ambasadës, u vlerësua puna e Policisë së Shtetit për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Top-Channel ka mësuar ndërkohë se mes palëve është rëndë dakord që një përfaqësues i FBI-së t’i atashohet Byrosë Kombëtare të Hetimit për të asistuar të gjitha fazat e ndërtimit të saj dhe më tej në fazën operacionale.

Takimet e drejtuesve të lartë të FBI-së me Ramën dhe Tahirin vijnë në një moment kulmor të përplasjes politike mes maxhorancës dhe opozitës, për temën e krimit në Shqipëri, për të cilën Ambasada Amerikane në Tiranë javët e fundit ka qënë tepër aktive. 

Top Channel