Basha takon aleatët, kandidatë të përbashkët në zgjedhje

01/04/2015 00:00

Takimi i partive të opozitës ishte i qetë dhe me një përfundim konkret: të dalim me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale.

Më këtë përfundim ka rënë dakord edhe Partia Republikane, e cila ka një mosmarrëveshje publike përsa i përket kandidaturës së Agron Dukës në Durrës.

Partia Demokratike do të kandidojë me një demokrat në qytetin bregdetar dhe e sigurt është se një nga bashkitë më të rëndësishme të vendit nuk do t’u lihet aleatëve.

Republikanët thonë se nuk kanë hatërmbetje nga ky qëndrim, por kryerepublikani Fatmir Mediu, si asnjëherë gjatë kohës së bashkëpunimit elektoral me Partinë Demokratike, nuk mori pjesë në tryezë. I autorizuar ishte nënkryetari Arian Madhi, që publikisht nuk hoqi dorë nga Durrësi, edhe pse gjatë takimit të pasdites nuk është diskutuar për bashki konkrete.

“Ne do t’i qëndrojmë çdo gjëje në përputhje me parimet për të cilat kemi rënë dakord, proporcionaliteti, vlerësimi i potencialeve që mban kandidati, etj. Në të kundërt, PR e shprehu qartë se çdo çedim nga ato parime që garantojnë moralin dhe funksionimin do ta detyronte të kandidonte e vetme. Ne nuk kemi diskutuar deri më sot për Bashkinë Durrës, por mbi një paketë garancish që janë pikërisht parimet. Sot vendosëm piketat e parimeve dhe pastaj do të hymë në proces negocimi”, deklaroi Madhi.

Deklarata e përbashkët e partive opozitare pjesëmarrëse në tryezë flet për parimet e bashkëpunimit në zgjedhje dhe deri më datë 6 prill, të hënën e ardhshme, Partia Demokratike, që ka për negociator Edmond Spahon dhe Eduard Halimin, do të firmosë me secilën një marrëveshje bashkëpunimi.

Top Channel