Profili i Artan Didit dhe 18 muajt në krye të Policisë së Shtetit

31/03/2015 00:00

Artan Didi është i datëlindjes 27 Shtator 1963, vendlindja Tiranë. Fillimisht ai ka përfunduar shkollën e Lartë të Bashkuar të oficerëve, në vitet 1982-1986. Më pas, edhe Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në 1991-1996. Ka përfunduar kursin e formimit për oficer policie pranë shkollës së Ministrisë së Brendshme dhe mban titullin “avokat” që prej vitit 2000.

Artan Didi ka filluar punën si ushtarak dhe prej 1986-s deri në 1991-shin ka kryer detyra si komandant Kompanie, shef Shtabi i Repartit të Zbulimit dhe më pas është vënë në dispozicion të Ministrisë së Brendshme, ku ka filluar punë në Repartin RENEA, si komandant grupi dhe instruktor.

Nga viti 1992 deri në vitin 2000 ka qenë pjesë e Forcave Elitë të policisë RENEA, si komandant Nënreparti, shef Stërvitjeje dhe më pas si komandant i këtij reparti. Ndërsa në vitin 2001 shërbeu si drejtor i Drejtorisë së Forcave Speciale.

Ai ka mbajtur gradën e lartë Kryekomisar deri në vitin 2006, ndërkohë që në tetor të vitit 2013, Didi u zgjodh drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Didi ka dy medalje, në vitin 1991 është vlerësuar me “Medaljen e shërbimit ushtarak” dhe në vitin 1998 me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.

Gjatë kohës që ka shërbyer në RENEA, Artan Didi ka qenë pjesë e një sërë aksioneve për neutralizim terroristësh dhe trafikantësh, ku edhe është plagosur. Por për një nga ngjarjet e rënda të së shkuarës, pengmarrjen e autobusit grek, Didi u akuzua nga opozita se, bashkë me pengmarrësit ai vrau edhe pengun.

Akuzat ndalën në momentin, që Didi kreu operacionin e Lazaratit. Një aksion, i cili u udhëhoq prej tij dhe rezultoi i suksesshëm. Gjatë kohës si drejtor i Përgjithshëm orientoi Policinë e Shtetit në luftën kundër drogës, duke arritur rezultatet më të mira në 20 vitet e fundit.

Top Channel