Çela: Ecuria e arkëtimeve, pozitive. Do të investojmë 55 milionë dollarë

27/03/2015 00:00

Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, ka prezantuar të premten, gjatë
një konference shtypi, ecurinë e arkëtimeve, që sipas tij janë, “tejet
pozitive, aq sa tashmë, jemi të bindur për të hedhur hapin tjetër: atë
të investimeve”.

Sipas z. Çela, në muajin shkurt u mblodhën 70 milionë dollar, gati dyfish më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. “Nga muaji janar e deri më 25 mars, kemi mbledhur 170 milionë dollarë dhe besojmë se me ecurinë e deritanishme, do të realizojmë objektivin e vendosur që, deri në fund të vitit të mbledhim 54.8 miliardë lekë”, shtoi ai.

Këto të dhëna financiare, sipas administratorit të OSHEE-së, japin më shumë garanci për investimet. Çela u ndal pak më gjatë në këtë çështje, pasi “ky do të jetë viti i investimeve konkrete”.

Por si do të shpërndahet fondi prej 55 milionë dollarë i përcaktuar për investime? 2.73 miliardë lekë do të shërbejnë për ndërtim rrjeti të tensionit të mesëm dhe kabina transformimi; 991 milionë lekë janë përcaktuar për ndërtim nënstacionesh; 820 milionë lekë për ndërtim rrjeti të tensionit të ulët dhe 711 milionë lekë për sistemin e matjes.
 

“Në pjesën e investimeve për tensionin e ulët dhe rrjetin, dua të veçoj investimet në zonën e Kënetës, Spitallës, në zonat më problematikë të Tiranës dhe rajonet e tjera, sipas zërave në tabelën e investimeve të shpërndara në çdo rajon”, shtoi Çela.

Sipas tij, zonat në përgjithësi dhe në veçanti kabinat ekzistuese ku do të ketë ndërhyrje me rrjet, kanë nivel të lartë humbjesh teknike, për arsye të rrjetit primitiv dhe të sajuar, pa asnjë kusht teknik. Kryerja e investimeve në këto zona synon kthimin e këtij rrjeti brenda standardeve të kërkuara.

Këto investime pritet të prekin me shume se 400 kilometra linjë dhe 30 mijë abonentë. Ato gjithashtu synojnë rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike në zonat problematike, përmirësimin e nivelit te humbjeve teknike dhe jo-teknike, rritjen e sigurisë së impianteve për të garantuar personelin, komunitetin dhe vetë impiantet.

“E thënë më qartë. Me këto investime, ne parashikojmë t’i ulim humbjet me 4.1%, që do të thotë një vlerë e kursyer me të paktën 20 milionë dollar”, tha Çela.

Ndërsa sa u përket investimeve inovatore, administratori i OSHEE-së përmendi Info-Kioskat, të cilat do të vendosen në qendra publike e ku çdokush mund të informohet në lidhje me shërbimet e OSHEE-së, por edhe të paguajë faturën e dritave përmes kartës bankare; Arkivën Digjitale, ku përmes së cilës mund të ndiqet në kohë reale statusi i ankesës apo kërkesës së klientit; dhe Smart Maters (matësat inteligjentë), që pritet të nisë në muajin prill.

Top Channel