PD, protestë në Kavajë: Rama-Meta lidhën kontratë me krimin

26/03/2015 00:00

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka vijuar turin e protestave në Kavajë, duke i bërë thirrje qytetarëve të bashkohen për të larguar nga pushteti dyshen Rama-Meta.

“E keqja e madhe që ka mbërthyer Shqipërinë e ka emrin mashtrim, varfëri, pasiguri, e rritje çmimesh. E keqja e ka emrin arrogancë, krim e korrupsion në nivelin administratës. Rama-Meta e grisën kontratën me zgjedhësit, i vunë shkelim premtimeve që u dhanë, rritën taksat, çmimin e energjisë, shëndetësinë e bënë më të shtrenjtë. Grisën kontratën me zgjedhësit dhe lidhën kontratë me krimin. E gjithë kjo për të vjedhur votat, për të ndarë paratë e pista të korrupsionit dhe e kthyen Shqipërinë në Kolumbinë e Europës”, theksoi Basha, i cili kërkoi edhe një herë tjetër dorëheqjen e Ilir Metës.

“I kërkojmë Ilir Metës që të ikë nga karrigia numër 2 e shtetit. Kemi denoncuar publikisht, me prova e fakte, drejtuesit e sotëm të pushtetit. Ata përfaqësojnë vetëm botën e errët nga vinë. Kriminelët janë futur në çdo skutë e kanë përfunduar deri në Parlament. Edi Rama e di mirë se është ai që i ka kërkuar dhe gjetur me dorën e tij personat e përfshirë në organizata kriminale. Dyshja Rama-Meta do të jenë subjekt dekriminalizimi edhe më i madh se nga ai që po bëjmë me ligj. Qytetarët do të ndëshkojnë me votë mashtrimin, arrogancën dhe mungesën e shpresës, ku i ka kredhur Ilir Meta dhe Edi Rama”, tha kreu i PD-së.

Top Channel