Kosova jashtë agjendës së KiE/ Anëtarësimi mungon në axhendë, kushti për qeverinë Kurti mbetet Asociacioni
Në ditën që Kuvendi do të diskutonte për situatën në televizionin publik të Kosovës dhe për të kërkuar një komision hetimor, stafi menaxherial i RTK-së largoi nga puna dy drejtuesit e Sindikatës së Pavarur.
Bëhet fjalë për kryetarin e sindikatës, Fadil Hoxha, dhe zëvendësin e tij Arsim Halilin, gjithashtu redaktor në transmetuesin publik. Ata u larguan me vendim të drejtorit të Përgjithshëm, me arsyesimin se kanë dëmtuar imazhin e televizionit.
Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kada Bujupi tha se krijimi i një komisioni hetimor është i domosdoshëm, për shkak të dyshimeve të mëdha për keqpërdorime.
“Grupi parlamentar i Aleancës konsideron se është momenti i fundit, kur Kuvendi duhet të reagojë fuqishëm kundër së keqes në RTK, që po pengon përmbushjen e misionit të saj për informim të drejtë e të paanshëm të publikut, i cili është dhe financuesi i RTK-së”, tha Donika Kada Bujupi.
Nisma e opozitës nuk mori mbështetjen e PDK-së dhe LDK-së, pavarësisht se edhe vetë kryeministri Isa Mustafa, së fundi ka kritikuar ashpër RTK-në se është e ndikuar politikisht. Kjo, me arsyetimin se fillimisht duhet të analizohen raportet financiare të RTK-së.
Ndërkohë që, dy subjektet e tjera opozitare, Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, e përkrahën krijimin e komisionit hetimor, duke e quajtur RTK-në si altoparlant të PDK-së dhe medium në shërbim të parapolitikës.
“RTK-ja, duhet ta themi të vërtetën, është altoparlant i PDK-së dhe për këtë është ankuar edhe vetë Mustafa. Pres nga LDK që, në përputhje me shqetësimet e kryeministrit të saj, ta përkrahë formimin e këtij komisioni hetimor”, tha Glauk Konjufca, VV.
“RTK nuk është ndonjë zbulim epokal, që po i shërben një politike të caktuar, por është shumë me rëndësi, që ne si Kuvend të kemi një qëndrimm të qartë rreth depolitizimit të RTK-së”, tha Zafir Berisha, “Nisma për Kosovën”.
“PDK mendon se duhet të konsumohen pikat për debat parlamentar dhe më pas të vendoset për komisionin”, tha Zenun Pajaziti, PDK.
“Une i bëj apel Kuvendit, që ne, si institucioni më i lartë ta ruajmë kredibilitetin tonë dhe në trajtimin e kësaj teme. Po të shkojmë në komision sot, e dimë që ka mandat 3 muaj dhe është nën menaxhimin e politikës”, tha Ali Sadriu, LDK.
Deputetët e kritikuan stafin menaxherial dhe bordin e RTK-së, se prej tre vitesh nuk i ka sjellë Kuvendit raportet financiare. Sipas ligjit, RTK ka statusin e institucionit të pavarur publik, me mision informues, edukues, kulturor dhe argëtues.
Kuvendi është themeluesi i RTK-së dhe, si i tillë, sipas ligjit duhet të mbrojë autonominë institucionale, duke siguruar financimin e duhur për realizimin e misionit. Pra RTK financohet nga buxheti i shtetit. Kuvendi po kështu zgjedh bordin e RTK-së, anëtarët e të cilit pastaj zgjedhin stafin menaxherial të transmetuesit publik.
Top Channel