Këshilli s’pranon më prova për Doshin, Halimi: U refuzua nga PS. Xhafaj: Qëndrimi ishte konsensual

26/03/2015 00:00

Këshilli i Mandateve vijoi mbledhjen pas largimit të zotit Doshi dhe pa praninë e medias. Në një komunikim me gazetarët, demokrati Eduard Halimi tha se, PS vendosi të mos pranojë më prova për çështjen “Doshi”.

Por ai siguroi se opozita nuk do të bllokojë hetimin. Pas Halimit, foli Fatmir Xhafaj, i cili theksoi se qëndrimi për të mos pranuar prova të reja ishte konsensual. Ai siguroi se raporti do të kalojë në seancën më të parë, që në fakt është ajo e kësaj të enjteje.

“Patëm një debat të gjatë lidhur me marrjen e videos ‘bombë’ të regjistruar me kërkesë të Prokurorisë dhe vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Një standard që është vendosur në tetë rastet e 8 viteve. Në të gjitha këto raste Këshilli ka vendosur që të merret kjo provë, ndërsa në këtë rast PS refuzoi që këtë provë ta marrë Këshilli. Më pas, u kalua në procesin përfundimtar, ku qëndrimi i deputetëve të PD është ai qëndrim i mbajtur përgjatë 10 viteve. Qëndrimi ynë është parimor dhe për PD-në është e paimagjinueshme të pengojë hetimet e Prokurorisë dhe kryerjen e veprimeve të domosdoshme nga ana e saj”, u shpreh Halimi.

“Ka një relacioni të Këshillit të Mandateve, i cili do t’i paraqitet seancës plenare më të parë. Qëndrimi ishte konsensual”, tha deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj.

Top Channel