Riciklimi i mbetjeve me koncesion, përplasje biznes-qeveri

25/03/2015 00:00

Një projektligj i ri që i kalon privatit si monopol të gjithë skemën e menaxhimit të mbetjeve të riciklueshme duket se ka shkaktuar përplasje mes biznesit dhe qeverisë.

Drafti që po diskutohet në Parlament i detyron të gjitha bizneset që prodhojnë apo importojnë produkte të ambalazhuara të vendosin mbi to një shenjë dalluese sigurie, të ngjashme me pullën fiskale.

Këtë shenjë, bizneset do ta blejnë nga koncesionari, me një kosto që, sipas relacionit shoqërues të ligjit, mund të shkojë deri në 20 lekë për çdo shishe apo ambalazh të riciklueshëm.

Sipas draftit, kostoja shtesë do të përcillet tek konsumatorët, në çmimin final të produktit. Por këta të fundit do të kenë mundësi ta marrin mbrapsht atë vetëm nëse do ta dorëzojnë mbetjen e produktit tek pikat e caktuara që do të ngrejë koncesionari.

Sipas vlerësimeve të vetë qeverisë, pritet që më shumë se 30 për qind e mbetjeve të mos kthehen më në skemë për arsye nga më të ndryshme dhe do të shkojnë si kosto direkte për qytetarët.

Për çdo produkt që nuk kthehet, paratë ndahen mes qeverisë dhe koncesionarit. Përveç kësaj, me skemën e re qeveria do të heqë dorë nga taksa që merr mbi ambalazhet, pasi këtë taksë bizneset tashmë do t’ia paguajnë si tarifë koncesionarit privat.

Nga ana tjetër, përmes skemës së depozitës, koncesionari do të ketë praktikisht të gjithë monopolin e tregtimit të mbetjeve në Shqipëri.

Projektligji duket se ka shkaktuar pakënaqësi tek organizatat më të mëdha të biznesit, si BiznesAlbania apo grupime të tjera të sipërmarrjes në vend, të cilat e kanë kundërshtuar atë fuqishëm në Parlament.

Sipas tyre, drafti vendos taksë shtesë mbi biznesin dhe konsumatorët dhe i jep koncesionarit monopolin e tregut të mbetjeve në vend.

Top Channel